Thirrja e prindit, nëna e femijës autik kërkon mbështetje

08/12/2016 00:00

Me dhimbje dhe duke fshehur lotët, Miranda Hoxha vuan për fëmijën e saj, që ka probleme autike.

“Moshatarët e jamarbrit nuk e dinë që ai mund ta lexojë vetë përrallën, sepse nuk ka një mësuese mbështetëse ose një mësuese të trajnuar që një fëmije të moshës 6-vjecare Jamarbri të ketë mundësi t’i tregojë. Ndonjëherë kur unë ndërhyj, fëmijët shtangen dhe mbeten të nënqeshur. Ata janë të pafajshëm”, thotë Hoxha.

Jamarbri është shumë inteligjent, por nuk ndërvepron me bashkëmoshatarët e tij dhe nuk shoqërohet me të tjerët. Ai frekuenton kopshtin dhe falë terapive që ndjek dhe punës së dy prindërve të tij ka arritur të fitojë përqëndrim.

“Mësueset janë të patrajnuara. Ato janë të dashura dhe e duan shumë, por mua nuk më duhet dashuria, më duhet puna me 6-vjecarin”, shprehet Hoxha.

Jamarbri ka arritur të lexojë në moshë fare të vogël, por sot ka nevojë që të asistohet nga një mësues mbështetës. Po kështu dhe fëmijë të tjerë që kanë aftësi intelektuale të kufizuara.

Për herë të parë është mbledhur kongresi i prindërve me fëmijë të kësaj kategorie, të cilët kanë kërkuar veprime konkrete nga autoritetet shtetërore.

“Çdo fëmijë, çdo individ me aftësi intelektuale të kufizuara, apo me nevoja të veçanta duhet të ketë mundësi të aksesojë shërbimet e nevojshme. Kërkojmë me ngut që të bëhet realitet për çdo fëmijë arsimi gjithëpërfshirës”, thotë Emanuela Zaimi, nga Organizata e fëmijëve me sindromën down.

Organizatat e fëmijëve me aftësi ndryshe tanimë do të jenë monitoruese të asaj çfarë institucionet bëjnë për të ofruar shërbime.

Top Channel