
Në përvjetorin e protestave në Qytetin Studenti, kryetari i Partisë Demokratike, gjatë një takimi me të rinjtë në vendin nga ku nisën lëvizjet që çuan në rrëzimin e regjimit komunist, sulmoi Qeverinë aktuale dhe tha se Partia Demokratike është sërish në një betejë për të sjellë lirinë.
“Unë jam i bindur se sot rinia, rinia demokrate dhe çdokush që u bashkua me ju, nuk u ngrit thjesht për t’u bashkuar me ju, por dha sot shenjën, kushtrimin se rinia demokrate dhe ajo shqiptare kanë vendosur të ringrihen përsëri për të mposhtur frikën dhe për t’u kthyer të rinjve shqiptarë dhe çdo shqiptari atë që është e tyre; të drejtën për të jetuar në liri”, deklaroi Basha.
Para të rinjve, Basha akuzoi Qeverinë se e ka përqendruar pushtetin në duar të disa njerëzve që kanë lidhje me Kryeministrin dhe se sot vendi gjendet në të njëjtën situatë si atëherë.
“Dy botë para 26 vitesh ekzistonin, ajo e Bllokut dhe Shqipëria e vërtetë. Edhe sot janë dy botë”, u shpreh ai.
Sipas Bashës, kjo nuk është një betejë për të kthyer Partinë Demokratike në pushtet .
“Sigurisht që është edhe për këtë. Kjo është beteja për t’u kthyer shqiptarëve shpresën”, shtoi Basha.
Pavarësisht të gjithave, vijoi ai, PD dëshiron që sikurse 26 vite më parë t’u kthejë shqiptarëve lirinë.
“Lindëm si parti e shpresës për çdo shqiptar, si parti e lirisë për çdo shqiptar dhe jemi prap ajo parti pas 26 vjetësh, me arritjet tona për të cilat jemi krenarë e me gabimet tona për të cilat reflektojmë dhe duhet të reflektojmë”, u shpreh kreu i PD.
…dhe këtë Basha do e bëjë duke u nisur nga të rinjtë.
“35 përqind e kandidatëve për grupin e ardhshëm parlamentar të Partisë Demokratike do të vijnë nga ju. A jeni gati që të merrni përsëri në dorë fatin e Shqipërisë? Fatin tuaj?”, deklaroi Lulzim Basha.
Top Channel