Përplasja brenda CDU-së, Patzelt vs Krichbaum: Të hapen negociatat për Shqipërinë

08/12/2016 00:00

Kur bëhet fjalë për progresin e Shqipërisë në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, nga radhët e partisë së Angela Merkelit nuk ka vetëm kritika.

Ndryshe nga kolegu i tij, Gunther Krichbaum, një deputet tjetër i CDU-së, Martin Patzelt, njëherësh edhe anëtar i Komitetit për të Drejtat e Njeriut në Bundestag, në një shkrim për prestigjiozen gjermane “Focus” vlerëson progresin e Shqipërisë dhe rolin e kryeministrit Edi Rama në zhvillimet e kohëve të fundit.

“Me zgjedhjen e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe artistit  Edi Rama si kryeministër në vitin 2013, marrëdhëniet me BE-në u bënë normale. Reforma e drejtësisë në vitin 2016 hapi derën për çeljen  e negociatave për anëtarësim. Vendi konsiderohet si i qëndrueshëm, është anëtar i NATO-s dhe ka marrëdhënie shumë të mira ekonomike me BE-në. SHBA mbështesin gjithashtu procesin e partneritetit dhe e kanë promovuar shtetin e vogël ballkanik”, tha Patzelt.

Martin Patzelt thekson po ashtu faktin se Angela Merkel ka premtuar mbështetje për zgjerimin e BE-së dhe se gjatë takimit me Ramën, kancelarja i vlerësoi hapat e Shqipërisë gjatë këtyre viteve.

Deputeti e përshkruan Shqipërinë si një vend, i cili shquhet për bashkëjetesën fetare dhe për mikpritjen e tij, duke përmendur strehimin e ofruar rreth 3.000 iranianëve. Në shkrimin e tij, Patzelt e konsideron Shqipërinë si një vend, që i respekton liritë themelore të njeriut dhe të drejtat e minoriteteve.

Për deputetin e CDU-së, progresi i vendit duhet t’i hapë patjetër rrugë anëtarësimit, e aq më tepër që – sipas Patzelt, – Shqipëria reflekton shpresën se Ballkani mund të sheshojë edhe problemet etnike.

Top Channel