
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi se qeveria është e vendosur për të vazhduar “me më shumë forcë sesa deri dje të gjithë procedurën e reformimit të sistemit të drejtësisë”.
“Vetting-u është një hap që nuk ka kthim pas, pavarësisht rezistencës së të gjithë atyre që në ‘Frontin e të Keqes’ nuk duan që në këtë vend të ketë drejtësi për qytetarët, për fëmijët tanë dhe një Shqipëri më të drejtë e më të denjë. Ne jemi shumë të vendosur dhe këto janë shenja të njëpasnjëshme për të bërë atë për të cilën na kanë besuar qytetarët”, tha Tahiri pas inspektimit në zonën e Universitetit Bujqësor të Tiranës në Kamëz, ku po ndërhyjnë strukturat e IKMT dhe mbështetjen e FNSH dhe Policisë së Shtetit për lirimin e ambienteve universitare të zëna apo shembjen e ndërtimeve pa leje pranë UBT.
“Jo të gjitha i kemi bërë, por po punojmë ditë për ditë për të kapur atë që kemi humbur, atë që kemi lënë pas gjatë dy dekadave të kaluara dhe për të ndërtuar Shqipërinë e të ardhmes”, shtoi ministri i Brendshëm.
Top Channel