Lu, dakord me Berishën: Venecia, bazë solide për reformën në drejtësi

07/12/2016 10:40

Ambasadori amerikan Donald Lu, i pranishëm në simpoziumin kundër korrupsionit të zhvilluar në Tiranë, deklaroi se “vetting”-u është mënyra më e mirë për ta luftuar korrupsionin.

“Korrupsioni nuk luftohet nga të huajt, por nga prokurorë, policë e gazetarë kurajozë. Pra, pyetja është: si do të luftohet korrupsioni në Shqipëri? Lufta nis me “vetting”-un. Duhet ndërtuar një sistem i ri i pavarur, ku asnjë politikan apo gjyqtar i vetëm të mos ndikohet dhe të manipulohet. I jemi mirënjohës Komisionit të Venecias për këshillat e urta. Jam dakord me Dr. Sali Berishën që ka thënë para disa kohësh që opinioni i Komisionit të Venecias ofron bazë solide për t’i dhënë vendit reformën më të mirë të drejtësisë. Të gjitha forcat politike shqiptare duhet të mbështesin këshillën e urtë të presidentit të Komisionit të Venecias”, deklaroi ambasadori Lu.

Ndërsa Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, tha se me dëshirën e duhur, korrupsioni mund të luftohet me eficencë.

“Të gjithë i dimë problemet me korrupsionin. E di qytetari i thjeshtë, e di fermeri, e di studenti e kështu me radhë. Nuk kam ëndrra të tilla si zhdukja e korrupsionit, pasi është i lidhur me natyrën njerëzore, por korrupsioni mund të luftohet me eficencë. Duhet dëshirë për ta luftuar atë”, u shpreh kreu i shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA