Dhuna ndaj grave, 4 kërkesa për ndihmë çdo ditë në Elbasan

07/12/2016 00:00

Pranë Forumit të Gruas në Elbasan, çdo ditë paraqiten 3-4 raste të reja të grave të dhunuara, ndërsa statistikat e gjykatës flasin për dyfishimin e tyre krahasuar me një vit më parë.

“Është rritur numri i dosjeve, e kryesisht janë çështje zgjidhjeje martese dhe urdhër mbrojtjeje. Shkaqet kryesore janë problemet me alkoolin, bixhozin të bashkëshortëve, apo papunësia, sëmundjet e shëndetit mendor të dhunuesit/es, probleme kryesisht me familjarët e bashkëshortit. Në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me të papuna, pa profesion, një problem kryesor që i ka bërë ato të qëndrojnë për vite në një situatë dhune”, tha Soela Kurti, avokate nga “Forumi i Gruas”.

Deputetja Evis Kushi, e cila mori pjesë në takimin përmbyllës të fushatës 16-ditore kundër dhunës në familje, bëri thirrje për ndërgjegjësim dhe edukim që në fëmijëri.

“Është i nevojshëm një bashkëpunim shumë i ngushtë midis të gjithë aktorëve dhe institucioneve, duke filluar nga Bashkia, Prefektura, Qarku, duke vijuar me policinë dhe shoqërinë civile, e për të përfunduar me shkollat”, tha deputetja e PS-së, Evis Kushi.

Nëse flasim vetëm për rastet e regjistruara, sipas të dhënave të Gjykatës së Elbasanit, gjatë 10-mujorit të vitit 2016 janë dhënë 88 urdhra mbrojtjeje, dy herë më shumë se 12-mujori i vitit 2015, kur janë regjistruar 44 të tillë.

Top Channel