
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e së mërkurës draftin e ministrisë së Drejtësisë, për amnistinë e fundvitit për të dënuarit për vepra penale.
Gjithë parashikimet e ministrisë së Drejtësisë për kriteret e të dënuarve që lirohen apo dhe të atyre që përfitojnë ulje dënimi kanë kaluar me unanimitet. Referuar draftit, ky ligj pritet të hyjë në fuqi 15 diteëpas botimit në Fletoren Zyrtare, që do të jetë edhe data e lirimit të të dënuarve që përfitojnë. Nga amnistia do të përfitojnë mbi 80 për qind të të dënuarve në të gjithë vendin me përjashtim të atyre që janë me burgime të përjetshme, ose për vepra penale kundër jetës dhe lirisë së personit apo për vepra të rënda seksuale.
Konkretisht do të lirohen të gjithë ata të burgosur që deri më 31 dhjetor të këtij viti janë dënuar deri me 2 vite burgim si dhe do të pushohen hetimet për të gjitha veprat penale që parashikojnë dënime deri në 2 vite burgim. Lirim të menjëhershëm do të bëhet edhe për ata të dënuar që u kanë mbetur edhe dy vite nga vuajtja e plote e dënimit. Lirinë e menjëhershme do ta fitojnë edhe gratë që kanë mbushur 55 vjeçe dhe burrat që kanë mbushur 60 vjeç dhe që nuk janë dënuar për vepra që përjashtohen nga amnistia.
Gjithashtu do të lirohen edhe ata të dënuar që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qënë nën 18 vjeç si dhe ata që kanë dëmtime të përhershme fizike ose që janë diagnostikuar me sëmundje të pashërueshme. Amnistia parashikon edhe faljen e një viti burgim për të gjithë të dënuarit, pavarësisht veprës penale.
Top Channel