
Komisioni i ligjeve ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës buxhetin e vitit 2017 në diskutimin e tij nen për nen, ku relatori Dashamir Peza listoi dhe ndryshimet që janë marrë parasysh pas kërkesave të disa institucioneve, mes tyre edhe ai i Presidentit të Republikës, por jo në shifrën e kërkuar prej tyre.
“Ne propozojmë, pasi shqyrtuam kërkesat e palëve, që t’i rekomandojmë komisionit përgjegjës një shtesë prej 10 milionë lekë për fondin e investimit”, deklaroi Peza.
Deputeti demokrat Eduard Halimi tërhoqi vëmendjen, duke kërkuar buxhet më të madh për sigurinë, duke iu referuar ngjarjes së rëndë të ndodhur në qytetin e Fierit.
“Pse u investuan gjithë ato para në 2012-2013? Që të bëhej monitorimi elektronik i këtyre personave. Është bërë një investim në 2015, por është zero”, tha Halimi.
“Nëse janë bërë shumë investime, pyetja që më lind mua është përse nuk kanë funksionuar këto investime”, u përgjigj Peza.
Tashmë i takon Komisionit të Ekonomisë që të vendosë përfundimisht nëse këto ndryshime do të merren parasysh apo jo. Gjithashtu pritet të shihet dhe qëndrimi i Presidencës, e cila ka deklaruar se, nëse nuk merret parasysh kërkesa e saj për shtesë prej 20 milionë lekësh, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Top Channel