Emri/ Plagosja me thikë në Durrës, zbardhen detaje, 45-vjeçari ka marrë plagë në gjoks dhe bark Një grua 31-vjeçare ka arritur fatmirësisht t’i shpëtojë vdekjes falë ndihmës së menjëhershme të mjekëve të QSUT-së. Në gjendje të rëndë mendore, nëna e 3 fëmijëve ka tentuar të vetëvritet ditën e hënë.
Pasi ka pirë një numër të konsiderushëm ilaçesh gjumi, kryesisht valium, ajo ka rënë në gjendje shoku, ndërsa është dërguar në QSUT nga kushëriri i saj.
Historia bëhet edhe më tragjike, kur burime për Top Channel bëjnë me dije se kjo është tentativa e tretë për vetëvrasje nga ana e 31-vjeçares, që prej vitesh jeton mes jetës dhe vdekjes nga dhuna e ushtruar rregullisht në trupin e saj edhe në sytë e fëmijëve nga burri i shtëpisë.
31-vjeçarja është rrahur sistematikisht nga bashkëshorti, i cili është dënuar me 2 vjet burg për veprën penale “dhunë në familje”, pas denoncimit të së shoqes. Dhunuesi 36-vjeçar, banues në Tiranë vuan dënimin në burgun e Vaqarrit, por as kjo nuk e ka ndaluar dhunën ndaj bashkëshortes, ndonëse prej 2 muajsh nga qelia.
Fakti konfirmohet nga policia e Tiranës, në dyert e të cilës më datë 5 dhjetor ka mbërritur një kallëzim penal nga 31-vjeçarja, e cila njofton se burri i saj në mënyrë sistematike ushtron dhunë psikologjike ndaj saj përmes telefonit.
Nën të njëjtën çati ajo vuajti dhunën fizike që iu desh vite ta denonconte, ndërsa sot vuan dhunën psikologjike dhe kërcënohet me jetë për faktin që çoi burrin në burg. Një jetë mes dhunës, ky është shkaku që e mjera grua nuk ka më forcë të jetojë as për fëmijët.
Top Channel