SHBA ndalon anijen e tretë pranë Venezuelës, rritet presioni ndaj “flotës në hije”
Për shumë prej nesh, rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë tonë dhe një liri e pakufi për gjithsecilin për të shprehur mendimin e vet. Por kjo liri duket se vjen me një efekt anësor jo pak shqetësues; abuzimin me të.
Rasti më tipik i kësaj ishte ai i Andrea Stefanit, analistit dhe publicistit që ndërroi jetë parakohe nga një sëmundje e rëndë ditën e shtunë, e që vdekjen e tij një pjesë e përdoruesve jo vetëm që nuk e respektuan, por disa vërshuan edhe me mllef dhe urrejtje.
Pikërisht ngjarjeve tragjike të ditëve të fundit, rrjeteve sociale, mediave online dhe etikës në gazetari iu kushtua këtë të hënë emisioni Top Story me analistë, gazetarë dhe psikologë në panelin e Sokol Ballës.
I pari që mori fjalën ishte Mustafa Nano. Megjithëse nuk pranonte një pjesë të reagimeve që pasuan vdekjen e Andrea Stefanit, ai la të kuptohej se i priste.
“Ne që mbajmë qëndrime publike, që mbajmë mikrofonin zgjojmë edhe simpati edhe antipati tek ata që na dëgjojnë dhe shikojnë”, deklaroi ai.
Skënder Minxhozi tha se reagimi në internet duhet të ishte më i përmbajtur.
“Me më shumë respekt. Pashë një duf jashtë kohe dhe jashtë hapësire. Të gjitha ujërat e zeza të internetit vërshuan në një lajm vdekjeje”, tha ai.
Gazetari Blendi Salaj fajësoi për këtë mediat online.
“Portalet i lejojnë këto komente jo se nuk janë të vëmendshme, por i lejojnë qëllimisht për disa klikime”, deklaroi ai.
Po nëse etika është ruajtur në mediat tradicionale, a ekziston ajo në rrjetet sociale dhe mediat online?
“Në rrjetet sociale dhe në mediat online etika nuk ekziston më”, thotë Elert Yzeri.
Psikologia Ariana Muça e sheh fenomenin nga këndvështrimi i profesionit.
“Në internet e kemi më të lehtë të shfaqim atë pjesë që qëndron brenda nesh, një komunikim i brendshëm. Jemi shumë pak të mbrojtur nga rrjetet sociale për këto fenomene”, u shpreh ajo.
Valbona Treska, psikologe pranë gjykatës e sheh si një problem kolektiv.
“Jemi në një depresion kolektiv, jemi aq të frustruar, të ndrydhur saqë gjejmë formën e të shprehurit të gjërave përpara një kompjuteri, pas një ekrani”, deklaroi ai.
Duke folur për dy tragjeditë e fundit familjare të ndodhura në Fier dhe Korçë, ajo thotë se dhuna në familje është shtuar ndjeshëm dhe se shoqëria në përgjithësi po cedon në adresimin e kësaj problematike.
“Ngjarjet tentojnë të kopjohen, por ka shumë raste dhune në familje, duhet të jeni brenda gjykatave për të kuptuar sesa është shtuar dhuna në familje. Rastet e dhunës janë shtuar. Nuk jemi më në të njëjtat kushte si 50 vite më parë. Nuk jemi të aftë për të ndaluar klëto ngjarje”, u shpreh ajo.
Sa kanë ndikuar rrjetet sociale në këto raste? Elert Yzeri thotë se në të dyja rastet ka patur indicie se origjina e tragjedive ka ardhur nga Facebook.
“Në të dyja rastet indiciet kanë ardhur nga Facebook. Dy bashkëshortët kanë parë përmes rrjeteve sociale”, deklaroi ai.
Mustafa Nano sheh një tjetër faktor kryesor, përpos rrjeteve sociale.
“Faktori më i rëndësishëm është prapambetja jonë kulturore. Jemi vendi më i prapambetur i Europës dhe femrën e konsiderojmë ende si një send, si objekt’, thotë ai.
Ariana Muça shton se lëvizjet demografike pas viteve ’90 pasuan shtimin e rasteve të dhunës në zonat urbane. Zgjidhjet ajo e sheh vetëm tek edukimi dhe ndërgjegjësimi i brezit të ri.
Rrjetet sociale, thotë Blendi Salaj, janë mjeti.
“Mënyrat sesi i përdorim varet nga ne, nëse përdoren siç duhet kemi përfitime shumë të mira nga to, nëse jo…Unë jam për lirinë e shprehjes së pari, por duhet gazetaria duhet bërë pa dhunuar, pa fyerje, pa pasoja psikologjike dhe trauma tek të tretët që nuk kanë lidhje me këtë”, shprehet ai.
Elert Yzeri thotë se është e vështirë që të vendoset një filtër etike, sidomos për rrjetet sociale.
“Limti i etikës po humbet, jo për rrjetet sociale, por edhe për portalet, që kanë marrë nuancat e rrjeteve sociale dhe ka prishur atë që quhet etikë në gazetari dhe është shumë e vështirë të ngresh një rrjetë filtrimi për këtë”, deklaroi ai.
Skënder Minxhozi, që edhe vetë është përfshirë në mediat online tregon ndryshimin e madh me median tradicionale.
“Dikur trajtohej ajo që do të ndodhte, sot trajtohet diçka që është duke ndodhur. Në këtë kuptim, ajo që është etike dhe ajo që nuk është etike, në dy botët e mëdha të rrjetit, rrjetet sociale dhe portalet, këta të fundit kanë rënë në nivelin e rrjeteve sociale”, u shpreh ai.
Psikologia Valbona Treska thotë se përdorimi i rrjeteve sociale është i pashmangshëm, por…
“Të mos projektojmë problemet tona tek rrjetet sociale me mllef dhe inat. Besoj që kjo mund të drejtohet”, shprehet ajo.
Mustafa Nano u tregua më i ashpër ndaj rrjeteve sociale. Sipas tij, në to më shumë pompohet e keqja.
“Unë i urrej rrjetet sociale. Sot kemi një President në SHBA dhe për shkak të rrjeteve sociale. Në Britani prej rrjeteve sociale morën një vendim që nuk po dinë se çfarë të bëjnë tani me BREXIT. Për mua, rrjetet sociale pompojnë më shumë të keqen sesa të mirën, mendoj unë”, u shpreh ai.
Top Channel