SHBA ndalon anijen e tretë pranë Venezuelës, rritet presioni ndaj “flotës në hije” Individë të informuar, të organizuar që raportojnë menjëherë dhunën, komunitete vendore të informuar janë hapat që duhet të ndërmerren për të dekurajuar publikisht dhunën. Ka qënë ky reagimi i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, referuar ngjarjes makabre në Korçë, ku një 41-vjeçar vari dy fëmijë e më pas veten.
“Për këtë arsye na duhen individë të informuar, të organizuar që raportojnë menjëherë dhunën. Na duhen komunitete vendore të informuar dhe të organizuar. Kjo e para. Dhe e dyta unë besoj që duhet të fillojmë të dekurajojmë publikisht dhunën. Unë jam thellësisht i shqetësuar që dhuna promovohet në retorikën publike, jo rrallë edhe nga politikanët. Nuk ka gjë më të dhimbshme sesa të shohësh, sa shumë referime ka për dhunë në familje në Shqipëri”, tha z. Tahiri.
Ministri i Brendshëm i kërkoi politikës “të lërë dënglat dhe të promovojë qytetarë që respektojnë ligjin e që nuk identifikohen me dhunën”.
“Nuk ndodh rrallë që edhe në parlament të dëgjosh retorikë dhune. Të dëgjosh cilësime si ‘ndrikulla’ apo ‘lavire’ për deputetet gra në parlament. Apo të shohësh episode dhune të cilat nuk mbeten vetëm brenda mureve të parlamentit, por çojnë sinjale dhune dhe tek qytetarët. Ndaj unë them që politika t’i lërë dënglat dhe të promovojë qytetarë që respektojnë ligjin, qytetarë që nuk i dedikohen dhunës dhe të refuzojnë të gjithë së bashku dhunën”, tha ministri Tahiri
Ndërsa referuar rastit të Fierit, ku një grua u hodh nga kati i 4-rt i shtëpisë nga bashkëshorti i saj ndërkohë që kishte një urdhër mbrojtjeje, ministri tha se detajet e çështjes do të bëhen publike sipas rastit.
Por, ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi deklaroi se ngjarjet e rënda të ditëve të fundit tregojnë se diçka nuk ka funksionuar si duhet.
“Ngjarja e pak ditëve në Fier ishte shokuese për ne të gjithë dhe ajo ndodhi edhe pse kishte kaluar në dyert e gjykatës. Edhe kjo e Korçës është shokuese dhe vë një pikëpyetje të madhe: çfarë duhet të bëjmë ne që kjo të mos ndodhë? Po bëjmë një analizë referuar të dhënave të policisë”, deklaroi Klosi.
Top Channel