Ngadhënjim mbi vdekjen, rrjetet sociale thyejnë normat njerëzore

05/12/2016 00:00

Gjithnjë e më shumë bota është e mpirë nga influenca e padukshme e rrjeteve sociale në jetën tonë. Më shumë se 1.8 miliardë njerëz në të gjithë botën janë frekuentues të Facebook, 500 milionë të tjerë në Instagram, 350 milionë në muaj përdorin rregullisht Twitter-in, e shumë shumë në rrjete të tjera sociale.

Por si po ndikojnë këto rrjete sociale në jetët tona? Në të gjithë botën kjo është një dilemë shumë  e madhe dhe me gjithë filtrat mbrojtës që kompanitë e rrjeteve sociale kanë nxjerrë, rreziku i ndikimit është shumë imadh.

Që nga nxitja dhe mbështetja e terrorizmit, te kërcënimet personale, nga favorizimet politike te mashtrimet ekonomike, rrjetet sociale po bëhen shumë ndikuese në jetën e njerëzve në planetin tokë. Më e fundit është në Amerikë, kur në debatin e madh të zgjedhje u përfshinë kandidatët për Shtëpinë e Bardhë, shumë mbronin Sanders në Twitter, të tjerë i kundërviheshin fitores sureale të Trump.

Padyshim që nuk ka mbetur jashtë këtij ndikimi edhe Shqipëria, për të cilën raportohen më shumë se 1.3 milionë përdorues.

Kanë mjaftuar disa zhvillime të ditëve të fundit që në rrjetet sociale njerëzit të shfrenojnë fantazinë e të shkelin normat më njerëzore të respektit ndaj të vdekurve. Ndarja nga jeta në mënyrë të papritur e gazetarit dhe analistit të njohur Andrea Stefani, krahas fjalëve dhe komenteve ngushëlluese është pushtuar edhe nga një mllef denigues, nxitur me nuanca politike.

 Akoma edhe më të rënda ishin komentet edhe për një tjetër ngjarje paralele që tronditi fundjavën e shkuar Shqipërinë, kur një burrë në Fier kreu krimin makabër duke hedhur bashkëshorten nga kati i katërt. Fyerjet dhe sharjet në adresë të viktimës, kaparcyen jo vetëm të moralshmen, por edhe njerëzoren.

 Sigurisht që Facebook apo çdo rrjet tjetër social nuk është ndërtuar për të ndarë apo përcaktuar se cilët komente apo opinione janë të mira, të duhurat apo orientuese, por është një hapësirë e gjerë për të ndarë opinionet e të gjithëve, por që për fat të keq mënyra e të shprehurës thyen normat elementare njerëzore.

 Në të gjithë botën morti respektohet, qoftë edhe për figurat më të urryera që ka parë njerëzimi, ndërkohë që rrjetet sociale, ajo që pamë ditët e fundit është dëshpëruese dhe kjo ndodh jo vetëm nga “anonimët”, pasi siç e dimë në Facebook mund të komunikosh me të gjallët, por të kesh “friend” edhe figura të historisë, nga Naim Frashëri te Isa Boletini, mund të të vijë kërkesë për “friend” nga Skënderbeu dhe Elvis Presli, por edhe me emra konkretë, të cilët shajnë, fyejnë e denigrojnë me një mllef të shfrenuar këdo.

Etika vdes në rrjetet sociale, e lirshmëria për t’u shprehur amplifikohet duke u kthyer në një mani kafshërore, që i drogon e më pas i ndërsen drejt një gjuhe helmuese njerëzit…sigurisht edhe në këtë vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB