Maratona në Londër, emigrantët shqiptarë vrapojnë mes dhjetëra anglezëve

05/12/2016 00:00

Në moton “Një për të gjithë dhe të gjithë për një”, mijëra  vetë  garuan në maratonën e shkurtër të Londrës, ku mes tyre vrapuan edhe disa dhjetëra shqiptarë të Britanisë.

Mes tyre edhe Esmie Madill, një akademike dhe aktiviste e njohur në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve emigrantë dhe veçanërisht atyre shqiptarë të pashoqëruar. Esmie Madill, e cila banon në Uells, mori pjesë në Maratonën e Londrës për të mundësuar grumbullimin e fondeve dhe donacioneve për të rinjtë shqiptarë nën 18 vjeç që kanë kërkuar azil në Britani, me qëllim që t’i ndihmojë në proceset e tyre të apelimit në emigracion. Ajo bashkëpunon me shoqatën shqiptare “Shpresa Programme”, një nga shoqatat më aktive në komunitetin shqiptar, e cila së fundmi fitoi edhe çmimin “Shqiponja e Artë” në samitin e diasporës muajin e kaluar në Tiranë, e vetmja shoqatë shqiptare nga Britania.

Për Top Channel, zonja Madill, duke shpjeguar arsyet përse mori pjesë në këtë maratonë, thotë se “fatkeqësisht në këtë vend nuk ka fonde të mjaftueshme për momentin për të përfaqësuar ligjërisht rastet e fëmijëve emigrantë në proceset gjyqësore. “Shpresa Programme” po bën një punë impresionuese për t’i ndihmuar këta fëmijë shqiptarë që ndodhen në Britani”. Esmie Madill është një nga aktivistet më aktive dhe të spikatura, si dhe një “heroinë e heshtur” në mbrojtjen e kauzave dhe problemeve që ka komuniteti shqiptar në Britaninë e Madhe.

Ndër garuesit e shumtë shqiptarë në këtë maratonë ishte edhe Lavdrim Krashi, specialist i çështjeve të strehimit në Londër. Ai thotë se edhe pse nuk kishte vrapuar prej 20 vjetësh, mori pjesë në maratonë për të siguruar fonde për mbrojtjen ligjore për fëmijët e pashoqëruar shqiptarë me status emigracioni ende të pazgjidhur. Nga kjo fushatë sensibilizuese deri më tani janë grumbulluar disa mijëra sterlina për betejat ligjore për fëmijët emigrantë shqiptarë në Britani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB