Hodhi gruan nga ballkoni, çështja tek Krimet e Rënda

05/12/2016 00:00

Ferdinand Ruko, i arrestuar për vrasje të bashkëshortes së tij duke e hedhur nga ballkoni do dalë para Gjykatës së Krimeve të Rënda.

43-vjeçarja Liljana Ruko humbi jetën sapo mbërriti në spital, ndërsa policia arrestoi bashkëshortin, i cili thuhet se pas marrjes në pyetje pranoi krimin.

Çifti jetonte në një banesë edhe pse gjykata më herët kishte dhënë një urdhër mbrojtjeje për gruan, e cila kishte paditur bashkëshortin e saj për dhunë.

Ka qenë pikërisht ky urdhër mbrojtjeje i lëshuar shkaku i një sherri të ndodhur sërish mes çiftit që përfundoi me fluturimin e vdekjes së gruas.

Pas ngjarjes, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani iu përgjigj kërkesave për të sqaruar rrethanat e këtij urdhëri mbrojtjejë me vendimin se të hënën do niste një hetim administrativ për të sqaruar se përse megjithë urdhërin e mbrojtjes e ndjera jetonte përsëri me burrin agresor.

Ministri Manjani njoftoi se do t’i kërkojë Prokurorisë së Fierit të përfshijë në hetim edhe procesin e lëshimit të urdhërave të mbrojtjes.

“Prokuroria ka mundësinë ligjore të sqarimit dhe të veprimit të shpejtë mbi çdo person përgjegjës”, shkroi Manjani në reagimin e tij. Por ndërkohë mësohet se çështja i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Top Channel