
Një operacion i përbashkët antidrogë midis Drejtorisë për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Shtetit, Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në Policinë Korçë dhe autoriteteve policore Maqedonase është finalizuar ditën e sotme duke goditur një grup të strukturuar kriminal.
Në sajë të operacionit “Selec” u vunë në pranga 4 persona, në banesën e njërit prej të cilëve, u sekuestruan drogë dhe municione.
Bëhet e ditur se më datë 03.12.2016 nga ana e autoriteteve maqedonase, në brendësi të territorit të tyre, u konstatuan dy automjete, konkretisht mjeti tip “Mercedes -Benz” me targë AA 584 MZ në pronësi të shtetasit Reviol Capo, brenda të cilit ndodheshin edhe shtetasit Erand Malo dhe Ervis Dushi; si edhe mjeti tip “Volvo” me targa AA 484 IR në pronesi të shtetasit Arben Bashllari, 53 vjeç, banues në Pogradec.
Gjatë kontrollit që shërbimet policore maqedonase ushtruan tek automjeti i këtij të fundit, iu gjet e sekuestrua një sasi prej 15-kg, lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa. Bashllari u kap dhe arrestua në kushtet e flagrancës nga autoritetet maqedonase, ndërsa tre shtetasit që ndodheshin në automjetin tjetër u shoqëruan dhe më pas u deportuan, në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës.
Policia shqiptare ushtroi kontrolle në banesat e shtetasve të deportuar. Konkretisht në ambientet e banesës të shtetasve Erand dhe Ernik Malo,(vëllezër) në fshatin Buçimas, të rrethit Pogradec, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 pako me peshë 10 kg, lëndë e dyshuar si narkotike kanabis sativa, 1 krëhër automatiku me 27 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Në flagracë u arrestuan edhe shtetasit.
Në kushtet e flagrancës u arrestuan katër shtetasit e mëposhtëm: Erand dhe Ernik Malo, 25 dhe 19 vjeç (vëllezër); Ervis Dushi, 29 vjeç, të tre banues në fshatin Buçimas- Pogradec, si dhe Reviol Capo, 31 vjeç, banues në Pogradec.
Sipas policisë, dyshohet se këta persona në bashkëpunim mes tyre, lëndën narkotike të poseduar synonin ta trafikonin drejt shtetasit maqedonas.
Top Channel