Berat, rioganizohet shërbimi i autoambulancave

04/12/2016 00:00

Raporti autoambulancë-pacientë në qarkun e Beratit ishte 1 me 37 mijë, ndërsa me riorganizimin e urgjencës mjekësore bëhet 1 për 21 mijë banorë. Nga  Berati, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja tha se shtimi i numrit të autoambulancave është njw kolonat e programit të qeverisë në shëndetësi, por pranoi se ka akoma për të bërë.

“Morëm dhe studiuam sa nevoja ka Shqipëria për autoambulanca. Të gjitha llojet e studimeve sot e konfirmojnë, se për ti shërbyer 3 milionë banorëve rezidentë, në këtë shpërndarja territoriale të popullsisë, me këtë strukturë moshore të popullsisë, me këtë profil epidemiologjik të popullsisë shqiptare dhe me këtë rrjet rrugor, nuk duhen më shumë se 130 autoambulanca njëherësh operative në territor”, deklaroi Beqja.

Rritja e numrit të autoambulancave në qendrat shëndetësore të Beratit është shoqëruar edhe me rritjen e numrit të të punësuarve. Shërbimit të urgjencës në këtë qytet i shtohen 11 infermierë dhe 4 shoferë të rinj. Skënder Brataj, Drejtori i QKUM-së, u shpreh: “Struktura e personelit të Beratit u shtua me një figurë të re që është koordinatori, si në të gjithë qarqet e tjera. Me shtimin e numrit të infermierëve dhe të shoferëve dhe ku është e mundur edhe numri i mjekëve”.

Një nga risitë e riorganizimit të urgjencës mjekësore është edhe krijimi i Qendrës së Komandës dhe Kontrollit, që do të informojë qendrën e Tiranës për çfarë ndodh çdo 2 orë në Urgjencën e Beratit.

Top Channel