Forcat e Armatosura Shqiptare kanë festuar 104-vjetorin e krijimit të tyre. Me këtë rast, në ambientet e garnizonit “Skënderbej” u organizua dita e hapur e Forcave të Armatosura, ku vizitorë të shumtë kanë parë nga afër pajisjet, armatimet dhe gjithçka tjetër që disponojnë Forcat e Armatosura Shqiptare, duke filluar nga helikopterët, mjetet e blinduara e deri tek armatimet më të fundit moderne.
Në këtë ditë ka dhënë urimin e tij edhe Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. “4 Dhjetori, për të gjithë ushtarakët dhe për të gjithë popullin është një ditë për të shprehur respektin, mirënjohjen dhe për të nderuar gjithçka bënë heronjtë e vërtetë, duke hapur rrugën e krijimit të ushtrisë moderne të Shqipërisë, që sot renditet në Aleancën më të madhe politike dhe ushtarake e më të suksesshme të të gjitha kohërave, atë të Atlantikut të Veriut”, shprehet Nishani në urimin e tij.
Në një paralelizëm me ushtrinë në kohën e monizmit, Nishani ka nënvizuar se dikur kishim një ushtri të madhe, por nuk kishim liri dhe eksportonim konflikt, ndërsa tani kemi një ushtri të vogël, por kemi liri dhe eksportojmë paqe.
Top Channel