Në Xarrë, Lulzim Basha siguroi fermerët se qeveria mund t’i kishte gjetur fondet për t’i subvencionuar dhe për të ndërtuar infrastrukturën në bujqësi, nëse nuk do të kishte zëvendësuar interesin publik me atë privat.
“Kjo do të ndryshojë me qeverinë tonë, paratë janë. Në qoftë se paratë nuk shpenzohen për luks qeveritar, në qoftë se nuk ndahen me miqtë e kryeministrit, ato mjaftojnë për të mbështetur bujqësinë. Ato mjaftojnë për subvencione për çdo fermer në bazë të prodhimit”, tha Basha.
Me operatorët turistikë në Sarandë, kreu i opozitës trajtoi shqetësimin e tyre për ndryshimin e papritur të legjislacionit.
“Në mes të sezonit kanë ndryshuar taksat, që janë dyfishuar apo trefishuar”, tha një operator turistik.
“Nuk e drejtoj gishtin që të them e bëjnë vetëm këta. Ka ndodhur edhe më përpara. Me qeverinë e ardhshme kjo do të marrë fund”, tha Basha.
Që të vijë në pushtet, Basha thotë se e para që duhet të ndryshojë është Partia Demokratike. Bashkimi, hapja dhe komunikimi me qytetarët është fryma që kreu i opozitës po kërkon nga strukturat e Partisë Demokratike.
“Që refuzimi, zemërimi, depresioni të kthehen në shpresë, në besim dhe orientim për shqiptarët te kjo forcë politike, forca e ndryshimeve të mëdha historike. Partia Demokratike, edhe një herë është gati të marrë përsipër misionin e ndryshimit që po vjen”, deklaroi Basha.
Top Channel