Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke folur përpara mediave pas mbledhjes së grupit parlamentar, deklaroi se, “nesër Edi Rama do të paraqesë buxhetin e fundit, që do të jetë me rritje taksash”.
“Ai që 3 vite më parë erdhi në pushtet me premtimin se shqiptarët do paguajnë më pak taksa, u ka marrë më shumë. Po marr një shembull, ka rritur taksën e gazit, që ndihmon një grusht klientësh të Edi Ramës në sektorin e hidrokarbureve”, tha Basha.
Sipas kreut të opozitës, qeveria do të rrisë në mënyrë të papërfillshme edhe pagat e pensionet në muajin prill.
“Do i rrisë në prill, para se të marrë ndëshkimin me votë. Por, po i rrit pak. Një pensionist shqiptar do të ketë fuqi blerëse 7% më të vogël se 3 vite më parë. Shqiptari mesatar do e ketë 15% më të vogël fuqinë blerëse. Pra, në fund të qeverisjes së tij, do të ketë më pak punë dhe më shumë taksa”, shtoi Basha.
Kreu demokrat nënvizoi se “në thelb, është buxhet i “qepur” për t’i marrë shumicës e t’i japë pakicës”.
“Opozita nesër do të shpalosë në detaje këtë buxhet antipopullor për efektet që do të ketë për qytetarët. Alternativ jonë është e kundërta e kësaj që bën Rama. Do të ulim taksat, asnjë lek i qeverisë sime nuk do të shkojë për palma e luks”, tha Basha.
Top Channel