
Kreu i PD, Lulzim Basha i është kundërpërgjigjur po përmes rrjetit social “Facebook” kryeministrit Rama pas statusit të këtij të fundit ku për herë të parë u shpreh indirekt edhe për qëndrimin e Gunter Kirschbaum kundër hapjes së negociatave.
“Basha të mos kapë deputetë të huaj për të sharë e për të bllokuar Shqipërinë, por të lexojë rekomandimin e Bashkimit Europian dhe të zhbllokojë Vetingun!”, shkruan Rama.
Por Basha i quajti këto përralla të kryeministrit me armiq imperialiste.
“Lëri përrallat me armiq imperialistë. Mijëra familje vuajnë për bukën e gojës, shqiptarët paguajnë çmimin më të lartë të energjisë në Ballkan, vendi po zbrazet e të papunët shtohen çdo ditë, maturantëve ua dogje ëndrrat për arsim, studentët po lënë shkollën prej tarifave te rritura, fermerët nuk i ngop dot me përralla për kredi, shëndetësinë e çove në kolaps. Krimi, droga dhe korrupsioni i kanë zënë rrugën vendit. Këto janë hallet e shqiptarëve e jo armiqtë imagjinarë që zbulon nga dhoma e vizatimeve. Është ora e të vërtetës”, shkruan Basha në “Facebook”.
Në vijim të postimeve të tij, Basha ka akuzuar Ramën se e ka braktisur krejtësisht popullin e tij, vendin dhe të vërtetën.
“Tani, ai është një skllav i egos së tij, i etjes së tij për lluks, për pushtet, për para dhe për famë personale në kurriz të popullit më të varfër të Europës”, ka thënë Basha.
Top Channel