Veliaj: Në vitin e dytë të mandatit, fokusi te zonat rurale

22/11/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e rrugës së Çekrezës në Zall Herr. Kryebashkiaku Erion Veliaj është shprehur se në vitin e dytë të mandatit fokusi është zonat rurale.

“Kemi filluar një proces shumë të fortë të investimeve në zonat rurale. Sot jemi në Zall-Herr për rrugën e “Çekrezës”, pastaj me rrugën e “Kasallës”, e cila do të nisë muajin tjetër. Besoj se pranverën e ardhshme do të na gjejë me dy investime shumë të rëndësishme. Janë dy arterie kryesore komunikimi. Kur komunikimi ndodh, edhe ekonomia zhvillohet pak më shpejt. Do të bëjmë maksimumin që ta mbarojmë përpara afatit dhe me të mbaruar rrugën e “Çekrezës”, do të fillojmë me rrugën e ‘Kasallës’”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se bashkia ka nisur një seri investimesh në të gjithë atë që quhet kurora e Malësisë së Tiranës, dhe se shumë shpejt do të përurohet rruga e Krrabës.

“Investime do të ketë edhe në Zall Bastar e Zall Dajt, për të dhënë një mesazh shumë të qartë: Nuk ka rëndësi si kemi votuar, nuk ka rëndësi nëse jetojmë pranë Sheshit Skënderbej apo në periferi, për Bashkinë e Tiranës të gjithë qytetarët janë njësoj. Aty ku ka qytetarë që quhen të Tiranës, trajtimi do të jetë njësoj, si në qendër të qytetit, ashtu edhe në periferi. Sigurisht, qendra e qytetit është shtëpia, është dhoma e pritjes, e secili prej nesh rregullon dhomën e ndenjes, sepse aty i vijnë të gjithë miqtë. Kjo është arsyeja pse patjetër do investojmë dhe në Sheshin Skënderbej, në Bulevardin e ri, por është shumë e rëndësishme që të gjitha dhomat e shtëpisë të trajtohen me të njëjtin dinjitet. Kjo është arsyeja pse, në fakt, në vitin e dytë të mandatit tonë fokusin më të madh do ta kemi te zonat rurale”, tha Veliaj.

Top Channel