Hyn në fuqi ligji për prokurorinë, brenda dhjetorit ndryshimet

22/11/2016 00:00

Ka hyrë në fuqi ligji “për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”, por duke ngritur një pikëpyetje për zbatimin e tij.

Nga njëra anë, që nga kjo e martë ligji në fjalë e decentralizon prokurorinë duke i kthyer prokurorët, nga hallka e parë e një institucioni me hierarki të centralizuar, në të plotfuqishëm si gjatë hetimit paraprak edhe gjatë përfaqësimit të akuzës në gjykatë.

Por nga ana tjetër, nenet 24 e 25 në Kodin e Procedurës Penale bien ndesh me ligjin e ri të hyrë në fuqi, pasi në të sanksionohet se urdhërat dhe udhëzimet e prokurorit më të lartë janë të detyrueshme për prokurorin më të ulët.

Ky shqetësim është paraprirë më herët nga zyra qendrore e akuzës për shkak se mungon një dispozitë tranzitore kushtetuese që do të rregullojë veprimtarinë deri në aplikimin e plotë të reformës.

Nga hyrja në fuqi e këtij ligji, prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla nuk mund të marrë vendim ndaj prokurorëve si emërim, transferim apo shkarkim, pasi sipas Kushtetutës së re, kjo kompetencë i takon Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një organ inekzistent përsa kohë për ligjin e vetting-ut të pezulluar pritet një përgjigje nga Komisioni i Venecias.

Por burime nga komisioni i ligjeve i thanë Top Channel se ndërsa vetting-u është tashmë në dorë të Gjykatës Kushtetuese, Parlamenti brenda muajit dhjetor do të miratojë ndryshimet përkatëse në Kodin e Procedurës Penale, që të përshtaten me ligjin e ri të prokurorisë, hyrë sot në fuqi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta