Ndërprerjet e energjisë, defekte në pajisjet elektro-shtëpiake

17/11/2016 00:00

Më shumë se 3.000 banorë në zonën e Dropullit të Poshtëm vuajnë mungesën e vazhdueshme të energjisë elektrike për shkak të defekteve në rrjetin shpërndarës.

Banorët e një lagjeje në Sofratikë thonë se rryma e pastabilizuar u ka dëmtuar paisjet elektro-shtëpiake.

“Një mbrëmje isha vetëm në shtëpi kur dëgjova një shpërthim nga shtëpia e djalit. Dola jashtë dhe pashë tym që dilte nga dritaret. Jam e moshuar, nuk kontrolloja dot. I dërgova lajm djalit, ai erdhi nga Athina. I ishin djegur të gjitha, televizori, frigoriferi, stabilizatori”, thotë një banore e moshuar.

Kreu i njësisë administrative thotë se puonjësit e OSSHE-së kanë punuar shumë për riparimin e defekteve, por investimet në rrjetin shpërndarës mungojnë që prej vitit 1960.

“Ngarkesa ka çdo ditë, janë djegur frigoriferë e televizorë. Situata është e rëndë”, thotë Lefter Nasto.

Bizneset e zonës detyrohen të dyfishojnë kostot në rastet e ndërprejes së energjisë elektrike për të vënë në punë gjeneratorët.

Top Channel