“Fiks Fare”: Enti Kombëtar i Banesave regjistron në Hipotekë një godinë ushtarake që nuk ekziston

17/11/2016 21:00

Enti Kombëtar i Banesave ka regjistruar në Hipotekë një godinë ushtarake që nuk ekziston. Disa banorë në zonën e Kodrës së Priftit në Tiranë janë ankuar se nuk legalizojnë dot banesat, për shkak të një ish-godine ku ka qenë reparti numër 17 në Tiranë.

Sipas fotografimit nga ajri në vitin 2007 të territorit të Republikës së Shqipërisë, godina e repartit në fjalë nuk egziston. Ndërkohë, në datën 29 prill të vitit 2011, del një vendim qeverie. Në të thuhet se “objektet e repartit ushtarak, të ndodhur në ‘Kodrën e Priftit’, Tiranë, miratuar me vendimin nr.255, datë 3.9.1994 të Ministrit të Rendit Publik, si objekte të lira nga ristrukturimi, kalojnë në fond banesash për Entin Kombëtar të Banesave”. Më tej shtohet se pas kalimit të këtyre objekteve në fond banesash dhe regjistrimit të tyre në ZVRPP-në e Tiranës, Enti Kombëtar i Banesave ngarkohet të lidhë kontratat e privatizimit me banorët e pastrehë. Po për çfarë objekti? Kush ka shkuar në terren për të verifikuar nëse ka apo jo godinë? Aluizni? Enti Kombëtar i Banesave, apo ndonjë institucion tjetër?

“Reparti është prishur në vitin 1993”
Nga viti 2011, deri në ditët e sotme, familjet që kanë banesë në këtë zonë nuk mund ti legalizojnë, për shkak se në hartë shkruhet se ajo është pronë e Entit të Banesave.
Gazetarët e Fiks Fare shkuan në zonën në fjalë, te Kodra e Priftit. Nepërmjet hartës, u gjet edhe vendi ku ka qenë dikur reparti ushtarak. Në vend të godinës që thuhet në hipotekë, në zonë janë banesa private. Gjurmët e vetme të repartit janë vetëm pak metra kolona betoni, të ndodhura mes banesave private.
Ramazan Targo, një ish ushtarak, thotë për Fiks Fare se ka ndërtuar banesën e tij në territorin kur dikur ka qenë repart ushtarak. “Këto banesa kanë qenë garazhe, ish reparte ushtarake. Në vitin ’94 kam filluar të ndërtoj këtu. Në 2007 e kam legalizuar. Tokën e kam blerë (shpjegon ku ka qenë garazhi i prishit në vitin 1994). Në 2013 kam bërë të gjitha pagesat financiare edhe marr përgjigje se është në kuadër legalizimi si gjithë” thotë Ramazani.

“Sorollatem prej tre vitesh”
Fiks Fare shoqëroi në Entin e Banesave banoren Jonida Kreka. Ajo thotë se ka rreth tre vite që sorollatet nga institucionet shtetërore. “Problemi ka vite që ka filluar dhe sorollatem për një pronë të Kodra e Priftit. Kam bërë të gjitha procedurat, kam shkuar te Hipoteka dhe aty më vjen një përgjigje se një pjesë e sipërfaqes bie mbi pronën e Entit të Banesave. Në pjesën që më vjen thuhet që është godinë e repartit ushtarak. Ne e kemi ndërtuar shtëpinë në vitin 2003. Në momentet që e kemi ndërtuar, ne nuk kemi gjetur asnjë ndërtesë egzistuese. Unë vij te Enti i Banesave dhe më thonë që janë pezulluar. Sot i kam shkruar një kërkesë Entit të Banesave dhe pres përgjigje. Na kanë thënë që janë të bllokuar, s’kemi marrë asnjëherë përgjigje zyrtare” thotë Jonida. Gazetarët shkojnë të takojnë drejtorin e Entit të Tiranës, zotin Irfan Hysolli, por ai nuk ishte në zyrë. Më pas, gazetarët dhe qytetarja shkojnë në godinën e Entit Kombëtar të Banesave. Sportelistja u thotë që drejtoresha nuk është, pasi ka shkuar në ministri. Ekipi i gazetarëve i kërkon që të flasin me dikë për këtë problem, por marrin si përgjigje se “ju jeni të televizion dhe duhet leja e shefes”. Sportelistja komunikon me drejtorin e Tiranës, Irfan Hysolli. U jep gazetarëve telefonin dhe drejtori thotë se vjen për një orë.

Kush e regjistroi godinën te Kodra e Priftit?
Gazetarët rikthehen pas një ore në zyrën e drejtorit Irfan Hysolli, bashkë me qytetaren. Fillimisht, Hysolli pranon të shpjegojë gazetarin, por pa prezencën e qytetares dhe kameramanit. Fiks Fare regjistroi bisedën mes gazetarit dhe drejtorit Hysolli. Gazetari i thotë se “familjet pretendojnë se, një pjesë të godinës së ish repartit 17, e ka Enti Kombëtar i Banesave, e ka të hipotekuar si ndërtesë. Ndërkohë, familjet nuk e legalizojnë dot, nuk bëjnë dot procedurat e legalizimit, për shkak se ka një përplasje mes Aluiznit dhe Entit të Banesave”. Hysolli thotë se operon me një VKM, të vitit 2011 për 82 ushtarakë. “Tek ne sjellin një sërë dokumentesh për ti privatizuar. Goca, unë nuk e di kush është, ka ardhur ditën e premte dhe më ka sjellë një letër të hipotekës. Letra i drjetohet asaj, jo neve dhe thotë që ju, në shtëpinë që doni të legalizoni, keni një pjesë që është pronë e Entit Kombëtar të Banesave. Unë i thash me shumë mirësjellje bëj një kërkesë, që unë të kthej përgjigje zyrtare” thotë Hysolli, ndërsa gazetari i thotë se në hartë është shkruar se godina është egzistuese, ndërkohë që ajo është prishur vite më parë. “Ka qenë dikur, ka njollë në hipotekë… Unë s’kam asnjë ankesë, asnjë problem, përjashto gocën që ka ardhur. Nuk regjistrojmë ne” thotë ai. Pyetjes se, si është regjistruar, ai i përgjgijet se “ne aplikojmë dhe i themi Hipotekës që me vendimin e Këshillit të Ministrave, me numër, datë të vitit 2011, na janë dhënë në dispozicion këto emra”. Në fund pranon se një gjë e tillë mund të jetë problem.

Përballja e qytetares me drejtorin
Pas këmbënguljeve të ekipit të Fiks Fare, drejtori pranon të takojë qytetaren, por sërish nuk pranon kamerat. Jonida i thotë se kemi folur edhe herë të tjera bashkë, ndërsa drejtori i përgjgijet se “nuk më kujtohet”. Ai mban mend vetëm një takim, të zhvilluar dy ditë para se të shkonte Fiks Fare. “Më erdhe ditën e premte dhe të thash që do të bësh një kërkesë të Moza, më tregove problemin dhe të thash që unë këtë pasuri, ku sipas hipotekës pretendohet që e paska Enti, të thash që ne nuk kemi asnjë konfirmim nga hipoteka. Më bëj kërkesën thash dhe do të kthej një përgjigje zyrtare dhe unë do filloj procedurat me hipotekën” i thotë Hysolli.
Ndërkohë, qytetarja i thotë se “unë kam ardhur këtu që kur kam marrë lejen e legalizimit nga Aluizni. Kam çuar dokumentet në hipotekë, hipoteka më ka kthyer këtë përgjigje. Dhe, që në momentin e parë që kam marrë përgjigjen e hipotekës, kam ardhur dhe kam takuar Mozën. Moza më ka sjellë këtu te ju. Kemi folur dhe bashkë dhe më keni kthyer një përgjigje që janë të bllokuara për momentin. Shkova nga ana tjetër e Entit të Banesave dhe kam folur me juristin dhe më ka thënë se janë të bllokuara për momentin. Kam ardhur mbi 10 herë, kam takuar gocat andej dhe më kanë thënë që akoma nuk kemi një shkresë. Kam folur me Mozën gjatë kësaj kohe dhe i kam thënë a ka ndonjë gjë të re për privatizimin e objektit, jo akoma, akoma, akoma… U bënë tre vjet, unë tani dua një zgjidhje. Unë vajta në bashki për ta ndërtuar këtë godinë, sepse dua të banoj vetë se jetoj me qira, bashkia nuk ma njeh se më thotë se nuk ke certifikatë pronësie. Mua më ka lënë pezull” është ankesa e qytetares. Pas kësaj ankese, drejtori i bën me dije Jonidës se po ngarkon inxhinierin, që të verifikojnë dokumentet.
Megjithatë, gazetarët e pyetën për të disatën herë; Si u regjistrua si godinë, kur ajo është prishur në ’94-ën? “Jo, jo dhe Enti ka një inxhinier topograf të licensuar dhe në bazë të vendimit të qeverisë ka shkuar atje dhe ka marrë njollën që është kjo…” thotë Hysolli. “Dmth, ka bërë verifikime dhe ka rezultuar se ajo është godinë…” ishte ndërhyrja e gazetarit, teksa drejtori përgjigjet se “Kjo është e legalizimit, nuk jemi ne… Nuk e njohim fare…. Doni të zgjidhim punë apo…”. Normalisht, ekipi i gazetarëve kishte shkuar për të zgjidhur problemin e qytetarëve dhe drejtori tha se do të caktonte një inxhinier topograf.

Aluizni: Problemi te Enti i Banesave
Gazetarët e Fiks Fare shkuan në drejtorinë Rajonale të Aluiznit në Tiranë. Specialistja Mira Mezini thotë se: “Jemi në dijeni të problemeve të banorëve. Gjatë shqyrtimit të dosjeve na rezultoi që pasuria ka mbivendosje me një pasuri të Entit të Banesave. Enti e ka regjistruar si godinë. Në fakt nga verifikimet e vitit 2008 dhe 2009 rezultoi se ka ndërtime pa leje nga banorët dhe nuk egziston objekti që pretendon Enti i Banesave dhe është i regjistruar. Në vitin 2009 këto objekte i kanë kaluar në favor të deklaruesve. Në 2015 këta s’kanë marrë leje legalizimi, proceduan dhe dolën në mbivendosje dhe u ndërpre. I kemi bërë shkresë Entit të Banesave për të na konfirmuar. Rezulton se Enti i Banesave këtë objekt e ka futur në inventar dhe rezulton se ky objekt egziston edhe sot në favor të Entit. Nga fotografimi në vitin 2007 rezultoi se objekti i Entit nuk egziston, por janë bërë ndërtime”.

Heshtja e Entit Kombëtar të Banesave
Fiks Fare shkon sërish në godinën e Entit Kombëtar të Banesave për të pyetur për problemin në fjalë. Gazetarët tentuan të kontaktojnë drejtoreshën Redina Kodra, por ajo ia delegon përgjigjen nëndrejtoreshës. Kjo e fundit kontakton me ekipin e Fiks Fare, por nuk preferon të flasë me kamera. Pra, ekipit të gazetarëve iu deshën disa ditë për të marrë përgjigjet nga institucionet shqiptare, të cilat vazhdojnë të sorollasin qytetarët. Megjithatë, krahas problemit të godinës egzistuese, një tjetër ngërç është përplasja mes Entit të Banesave dhe Aluiznit, të cilat për ironi të fatit, janë të dyja në varësinë e Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA