
Gjykata e Lartë shtyu edhe për dy javë të tjera procesin penal kundër deputetit Armando Prenga, nën akuzë për plagosje të lehtë, kanosje dhe armëmbajtje pa leje.
Kësaj radhe shkak u bë mungesa e 6 dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria e Përgjithshme. Asnjëri prej tyre nuk ishte paraqitur, për shkaqe që nuk dihen, ndërkohë që në listën e dëshmitarëve gjendeshin edhe pjesëtarë të familjes Çali, të konfliktuar me deputetin gjatë incidentit të vitit 2015 në Lagunën e Patokut.
Por procesi duket se po mbahet peng që prej muajve të verës, atëherë kur dëshmuan efektivë të Policisë së Laçit, të cilët treguan se nuk e kishin dalluar deputetin, nëse ishte përfshirë apo jo në incident.
Ndërkohë që gjatë vjeshtës, gjyqi u shty për shkak të mungesës së avokatëve. Në seancën e radhës, gjykata zëvendësoi gjyqtaren Majlinda Andrea, nën hetim për korrupsion, me gjyqtaren Evelina Qiriako.
Top Channel