Basha takon reporterët e KiE: Pa dekriminalizim s’ka zgjedhje

29/10/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ngriti para reporterëve të Këshillit të Europës shqetësimin për lidhjet e qeverisë me krimin.

Në një takim me Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly, zoti Basha listoi drogën, korrupsionin, shkeljen e lirisë së medias dhe mungesën e vullnetit të qeverisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme si problemet më madhore të vendit.

Zoti Basha deklaroi para reporterëve se kanabizimi i vendit me shpejtësi të madhe është pasojë e marrëveshjes së kryeministrit me grupet kriminale.

Sipas tij, përhapja dramatike e kanabisit është vërtetuar nga vëzhgimet ajrore dhe nga sasitë e e kapura në Itali dhe Greqi, që sipas kreut të opozitës është bërë tashmë temë e mediave ndërkombëtare dhe shqetësim për sigurinë e vendeve të BE-së.

Kreu i opozitës deklaroi para reporterëve se lidhja e krimit me politikën, si dhe paraja e siguruar nga trafiqet dhe korrupsioni po shkatërrojnë procesin politik në Shqipëri. Së bashku me bllokimin që sipas tij kryeministri i ka bërë ligjit të dekriminalizimit, kjo kërcënon zgjedhjet e ardhshme.

Kreu i opozitës akuzoi kryeministrin se në mënyrë të qëllimshme ka vonuar dhe bërë të pamundur reformën zgjedhore. Në këto kushte, sipas tij, standardet e zgjedhjeve demokratike dhe legjitimiteti i tyre do cënohen rëndë.

Zoti Basha iu përgjigj interesimit të dy reporterëve edhe në lidhje me lirinë e medias. Ai tha se, Edi Rama bën presion të vazhdueshëm për t’i mbyllur gojën medias, duke përmendur mbylljen e një emisioni që sipas tij kishte nxjerrë në pah korrupsionin në aferën e landfillit të Sharrës.

Top Channel