Rama: Zgjidhim pronësinë mbi tokën. Kredi për bujqësinë; Basha: Do të japim subvencione

27/10/2016 00:00

Edi Rama dhe Lulzim Basha janë përballur në të njëjtën ditë për bujqësinë. Në dy vende të ndryshme, me zgjidhje krejt të ndryshme.

“Asnjëri prej jush nuk ka marrë subvencion? 140 milionë dollarë tha se do t’i hidhte për vaditje e kullim. Sa kanale ka pastruar dhe sa kanale ka ndërtuar?”, pyeti Basha banorët në një takim, përgjigjja e të cilëve ishte sigurisht negative.

Por atë që Basha e quan një nga dështimet më të mëdha të Ramës, kryeministri e quan arritje. Dhe e ka fjalën për rritjen nga 6 në 20 për qind të rimbursimit të TVSH-së për prodhimin bujqësor.

“Marrin mbrapsht 20 për qind nga shitja e prodhimit të tyre, që është shumë më tepër sesa çdolloj forme lëmoshe, e quajtur subvencion, për farat, për plehun dhe për naftën”, u shpreh Rama nga foltorja e Kuvendit.

Kryeministri dhe kreu i opozitës janë përballur edhe për fondin e financimit me kredi të buta për fermerët.

“Ne bëjmë garantimin e kredive të fermerëve në të gjitha nivelet. Nga sipërmarrja lart, deri te fermeri poshtë. Nuk ka aspak nevojë fermeri që të shkojë në bankë, sepse ndërmjetësimin midis fermerit apo grupit të fermerëve dhe bankës e bën qeveria”, deklaroi Rama.

“Më thoni cili nga ju është në gjendje të marrë kredi dhe të shlyejë interesat e kredisë? Në çdo vend të Europës, fermeri mbështetet me grante. Në Shqipëri, kjo është shumëfish më e nevojshme. Ne subvencionet për fshatin do t’i çojmë në 100 milionë dollarë në vit”, deklaroi Basha.

“Flisni ju për bujqësi, që nuk dhatë një titull pronësie mbi tokën?”, ishte pyetja e Ramës për demokratët nga foltorja e Kuvendit.

Top Channel