Ndarja e mbetjeve, Veliaj: Orë edukimi edhe në kopshte

26/10/2016 00:00

Edukimi për ndarjen e mbetjeve do të nisë që në kopsht, dhe ky është modeli që  ofrohet në të gjithë Tiranën. Kreu i bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj  ka zhvilluar një orë mësimi me fëmijët e kopshtit 20.

Teksa përuroi ambientet e reja tërësisht të rikonstruktuara të këtij kopshti, i shoqëruar edhe nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, kryebashkiaku Veliaj u ndal te rëndësia që ka edukimi i fëmijëve me nevojën për të mbajtur pastër ambientin e përbashkët, si një mundësi për të ndërgjegjësuar prindërit e tyre që të respektojnë procesin e ndarjes së mbetjeve nëpër kazanët e rinj që do vendosen së shpejti në qytet.

“Duke filluar nga muaji nëntor, ne do të vendosim dy kazanë mbeturinash në lagjen tuaj: një jeshil, ku do të hedhim mbetjet plastike, letrën, qelqin dhe metalin, si dhe një kosh tjetër ku do të hedhim mbeturinat e tjera. Ajo që dua është të na ndihmoni, t’u thoni prindërve që gjërat që mund t’i riciklojmë t’i hedhim te koshi i gjelbër, ndërsa gjërat që nuk mund t’i riciklojmë, t’i hedhim te koshi blu”, u tha Veliaj fëmijëve.

Ai theksoi se në të gjithë kopshtet e Tiranës do të nisë një orë mësimi me fëmijët për mënyrën se si ata duhet të bëjnë ndarjen e mbetjeve urbane në burim, si një nga mënyrat më efikase për të mbajtur qytetin pastër dhe për të shmangur çdo mundësi për të ndërhyrë në kazanët e vendosur nëpër qytet.

Top Channel