Kjo e martë ishte dita e duhur për t’i parë të buzëqeshur gjyqtarët dhe prokurorët. Pezullimi i ligjit të “vetting”-ut u ka dhënë atyre një shans të beftë për të mos qenë nën presionin e afatit të 7 nëntorit, brenda të cilit ata duhet të dorëzonin formularët e vetëdeklarimit për procesin e “Vetting”-ut.
Bedri Qori është gjyqtar në Gjykatën e Dhomës Penale Tiranë. Thotë se pas pezullimit të ligjit, tashmë i duhet të presë ç’do ndodhë, për shkak se është i paqartë: “Nuk kam dijeni fare. Unë i kisha mbledhur të gjitha dokumentat që kërkonte ligji”.
Ndërsa Antoneta Sevdari, prokurore në Tiranë, shprehet: “Nuk i kam dorëzuar akoma. Duhet të dëgjoj vendimin e Kushtetueses çfarë thotë”.
Por, ka edhe nga ata gjyqtarë dhe prokurorë që pasi kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar, kanë ngelur të befasuar dhe nuk pranojnë të prononcohen.
Jashtë kameras, prokurorët dhe gjyqtarët tregojnë se do të vijojnë të mbledhin dokumentacionin e kërkuar, pasi po hasen vështirësi, sidomos për ata që janë në detyrë prej vitesh. Por, nëse pezullimi i ligjit të “Vetting”-ut zgjat më shumë se tre muaj, edhe ata që i kanë dorëzuar, do t’u duhet t’i depozitojnë sërish, pasi ligji përcakton se dokumentacioni nuk duhet të jetë më i vjetër se 3 muaj.
Nga ana tjetër, edhe gjyqtarët dhe prokurorët, gjatë datave 4 dhe 5 nëntor, janë thirrur në mbledhje të përgjithshme për të vendosur nëse do të mbajnë qëndrim pro apo kundër “Vetting”-ut në Kushtetuese.
Top Channel