Itali, sekuestrohen 19 kg kokainë me destinacion Shqipërinë. Vlera, 4 milionë euro

24/10/2016 09:00

Një tjetër sasi e madhe kokaine e pastër, tranzit në portin e Gioia Tauro, me prejardhje nga Brazili dhe destinacion Durrësin, është kapur nga forcat e “Guardia di Finanza”-s. Droga ishte ndarë në 17 pako dhe peshonte në total 19 kg, e cila nëse do të shitej në treg kapte një vlerë prej afro 4 milionë eurosh.

Sasia e kokainës ishte futur brenda një konteineri që transportonte pula të ngrira, vinte nga Paranagua e Brazilit dhe do të shkarkohej në Durrës.

Zbulimi ka ardhur nga oficerët e komandës provinciale të “Guardia di Finanza”-s së Reggio Calabrias, së bashku me funksionarë të zyrës kundër mashtrimit tregtar të Agjencisë së Doganave të Gioia Tauros, në koordinim me Drejtorisë lokale të Antimafias.

Hetuesit kanë ushtruar një seri kontrollesh dokumentesh dhe më pas kontrollesh në konteinerët e dyshuar, duke përdorur skanera të sofistikuar të Agjencisë së Doganave.

Aktiviteti i forcave në fjalë është pjesë e intensifikimit të kontrolleve në lidhje me trafikun e drogës në rajonet kalabreze, teksa që prej fillimit të vitit kanë kapur thuajse 1.100 kg kokainë të pastër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA