Basha: E vetmja kontratë që respekton Edi Rama është ajo me krimin

19/10/2016 11:40

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Librazhd takoi strukturat lokale të partisë që drejton dhe foli për zgjedhjet e reja.

“Gjithçka që po ndodh, krimi, droga, tenderat që vidhen, gjithçka është në funksion të kapjes së zgjedhjeve të ardhshme. Ne duhet të garantojmë proces të lirë zgjedhor. A ka proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor me Edi Ramën kryeministër? A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën Kryeministër, me Saimir Tahirin ministër të Brendshëm? Me dy persona që e kanë lidhur ekzistencën e tyre politike me krimin dhe drogën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse ata e kanë lidhur veten e tyre me krimin dhe drogën pikërisht për të prishur zgjedhjet, pikërisht sepse kanë frikë nga vota e qytetarëve”, tha Basha.

Në Prrenjas, Basha foli për situatën ekonomike dhe papunësinë e lartë. Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë se prej ditës së parë që është ulur në karriken e kryeministrit, Rama u ka shërbyer vetëm kriminelëve.

“Qytetarët e Shqipërisë e dinë shumë mirë përse kemi ardhur në këtë gjendje. E dinë që Edi Rama i ka braktisur që ditën që mori pushtetin. Që prej ditës së parë që është ulur në atë karrike, mirënjohjen s’e ka me qytetarët, e ka me kriminelët që e bënë Kryeministër dhe i bëri deputetë, që e mbështesin dhe i bëri kryetarë bashkish, drejtorë të mëdhenj. Ai ju ndihet borxhli atyre dhe paktin e ka të lidhur me ta. Paratë e tenderave i ndan me ta, drogën që ka mbuluar Prrenjasin dhe gjithë Shqipërinë e ka me ta. Droga është produkt i kriminalizimit të administratës dhe të dyja bashkë janë pjesë e planit të Edi Ramës për të marrë dhe për të mbajtur pushtetin”, theksoi Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA