Të rinj të gjimnazit “Sami Frashëri” dhe të tjerë anëtarë të klubeve letrare, të apasionuar pas leximit, u mblodhën mesditën e së hënës në Parkun “Rinia”.

Në një ambient të improvizuar për të nxitur leximin, 18 prej tyre ndanë me bashkëmoshatarët krijimet e tyre në poezi, prozë dhe ese, krijime të cilat janë pjesë e edicionit të dytë të “Festivalit letrar”.

Me qëllimin që të nxisin të rinjtë drejt leximit, organizatorët iu bashkuan këtë vit muajit të leximit dhe nismës së lançuar nga Ministria e Kulturës, “Takohemi për një libër!”.

“Ky është një aktivitet që iu shtua si një risi këtij festivali, në përkrahje të nismës së Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës. Si në çdo lloj brezi, jo të gjithë janë talente, jo të gjithë që i afrohen aktiviteteve të tilla arrijnë të ndjekin rrugën e letërsisë deri në fund, por ne shpresojmë që me ndihmën tonë dhe vullnetin e talentin e tyre, ata të jenë të qëndrueshëm në rrugëtimin e tyre në letërsi”, tha Irena Toçi, organizatore e “Festivalit letrar për të rinj”.

Akri Çipa është njëri ndër të rinjtë e apasionuar pas letërsisë, i cili mendon se për të promovuar talentet e reja në këtë fushë duhen organe letrare periodike.

“Festivalin e konsiderova si një mundësi shumë të mirë për t’u promovuar. Kam botuar një libër me poezi në vitin 2014. Çmoj se do të ishte e nevojshme një revistë apo gazetë letrare periodike, që të mos botojë vetëm shkrime të shkrimtarëve të konsoliduar, por edhe shkrime nga zërat e rinj të letërsisë”, tha Akri Çipa, poet.

Shkrimet e fituesve të këtij festivali, që do të shpallen në muajin nëntor, do të botohen në një tjetër antologji, në vijim të nismës së nisur një vit më parë.

Top Channel