Partia Demokratike, nëpërmjet kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se, “Edi Rama ka lëvizur të gjithë gurët që ka në dorë për të mbajtur në detyrë të besuarin e tij në Gjykatën e Lartë, Ardian Dvorani, edhe pse mandati i tij ka skaduar prej 3 vitesh”.
”Gjykata Kushtetuese vendosi dhe e shpalli të përfunduar dhe të mbyllur mandatin e Ardian Dvoranit. Por, Edi Rama nuk lejoi zbatimin e këtij vendimi. Me urdhrin e tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk u publikua në kohë, me qëllimin e vetëm për të mbajtur në Gjykatën e Lartë të besuarin e tij. Ardian Dvorani vazhdon të okupojë një post gjyqtari në Gjykatën e Lartë. Edhe pse ka 3 vjet që i ka skaduar mandati, edhe pse Gjykata Kushtetuese vendosi se ai duhej të largohej, ushtarin e tij Edi Rama e mban në Gjykatën e Lartë në kundërshtim dhe shkelje të hapur të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Alibeaj.
”Kjo është drejtësia që kërkon Edi Rama: nuk zbaton vendimet e gjykatave kur nuk i interesojnë, mban me çdo kusht veglat e tij në gjyqësor. Me Dvoranin e përjetshëm në shërbim të tij, me prenotimin e 25 vendeve në prokurori e gjykata për ushtarët e tij, duke bërë pseudo-konkurs pa shpallje e pa transparencë në shkollën e Magjistraturës, me çdo rast që i jepet, Edi Rama po dëshmon se nuk do drejtësi të pavarur e profesionistë, por drejtësi të kapur e nën urdhërat e tij. Ky është delegjitimimi më kriminal dhe i shëmtuar i drejtësisë. Partia Demokratike e dënon ashpërsisht, e shpall të papranueshëm dhe nuk do t’i pranojë kurrë Dvoranët e Ramës. Ata do të largohen nga zyrat që okupojnë, me hir apo me pahir”, shtoi Alibeaj.
Top Channel