Burg, spital dhe “ferr”. Prej tre vitesh kërkesa për rikonstruksion

07/10/2016 00:00

Kërkesat e përcjella në tre vitet e fundit për kushtet në spitalin e burgjeve, ku aktualisht mbahen nën kurim 114 të dënuar, janë të shumta.

Duke i konsideruar nevoja të domosdoshme, autoritetet e këtij spitali-burg kërkojnë materiale elektrike pasi rrjeti është tejet i amorituzar, siç edhe lidhjet hidraulike apo edhe materialet dezinfekutese.

Linja e oksigjenit është jashtë përdorimit – thuhet më tej – dhe nevojat për ilaçe janë më të mëdha pasi po dërgohen gjithmonë e më shumë të sëmurë nga burgu i Zaharisë edhe ky një burg në kushte alarmante, sikurse denoncon prej vitesh Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Autoritetet e burgjeve përsërisin në kohë të ndryshme nevojën për rikonstruksionin e godinës për shkak të amortizimit dhe mungesës së investimeve prej vitesh dhe përpos ndërhyrjes në rrjetin hidraulik dhe elektrik kërkohet së fundmi vendosja e kaldajave, pasi lagështira është prezente. Më 15 gusht të këtij viti është përcjellë kërkesa e radhës, në të cilën përsëritet apeli për ndërhyrje urgjente.

“Institucioni ynë ka një kapacitet prej 99 shtretërish dhe në shumë raste ka shtrime mbi kapacitetin. Për rrjedhojë kërkohet një infrastrukturë më e përshtatshme për një trajtim sa më dinjitoz dhe njerëzor të personave me liri të kufizuar që trajtohen nga ana jonë”, thotë në letrën e saj Sonila Prifti, drejtoreshë e spitalit të burgut.

Por ndërsa Ministria e Shëndetësisë deklaron se nuk ka lidhje me spitalin e burgut, pasi ky institucion varet nga Ministria e Drejtësisë, kjo e fundit nuk jep asnjë koment se përse nuk ndërhyhet në spitalin ku trajtohen 114 të dënuar të sëmurë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB