Rruga e re Qukës-Qafë Plloçë, Rama: Vonesa për shkak se projekti i parë ishte difektoz

05/10/2016 00:00

Rruga e re Qukës-Qafë Plloçë që lidh Elbasanin me Korçën është riprojektuar nga e para në një segment të saj, sepse, siç i shpjeguan specialistët kryeministrit Rama, projekti i parë kishte defekte seriozë. Pas rishikimit, projektit i është shtuar një tunel i ri.

“Kjo është dalja e tunelit të parë. Ishte parashikuar më parë 404 metra, por pati ndryshime për përmirësimin e projektit, kryesisht për uljen e niveleve dhe u zgjat 700 metra tuneli i parë. U propozua ndërtimi i tunelit të dytë, 300 metra, për të evituar gjithë këtë gërmim që ishte parashikuar në formë U-je, që nuk kishte sens. Një masakër mjedisore. Në vazhdim të tunelit janë edhe dy ura të gjata. Kishte mospërputhje 24 metra disnivel”.

Qeveria e siguroi financimin 25 mln dollarë vitin e kaluar, por kryeministri Rama e argumentoi vonesën në ndërtim me defektet te projektit të parë.

“Rrugët e Saliut, projektet të gjitha për t’u riparë nga e para, me hata të mëdha topografike, inxhinierike. U humb kohë, por ishte e domosdoshme. Ky ndryshim projekti ka qenë i domosdoshëm, sepse po ta kishim vazhduar me projektin që trashëguam, do ishim në një situate edhe më katastrofike se ajo me rrugën Tirane-Elbasan, që pati gjithë atë rrëshqitje dramatike dhe faktikisht nuk do e kishin përfunduar tamam, do kishin ngecur në gremine”, tha Kryeministri.

Më tej gjatë ndalesës në fshatin në Dvoran të Korçës dhe në Stropçkë të Pogradecit, përveç infrastrukturës, kryeministri Rama është përqendruar te sensibilizimi i fermerëve për të marrë pjesë me projekte për të financuar rritjen e prodhimit të tyre nga fondi 300 milionë euro.

“Me Fondin e Garancisë Kombëtare bëhet e mundur që kreditimi të hapet dhe për fshatin, madje në një masë të gjerë, sigurisht duke qenë ne të përgatitur për të pasur projektet e duhura, për të bërë aplikimet e duhura. Kur them ne, nuk kam parasysh shtetin, por kam parasysh edhe qeverinë edhe ju”, tha Rama.

Top Channel