Ministria e Shëndetësisë: PD-ja, politikë me sëmundjet

04/10/2016 17:00

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas deklaratës së deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, se aparati i mamografisë në Spitalin Onkologjik nuk punon.

“Duke ecur me vrull përpara në rrugën qorre të manipulimit politik të çdo krimi apo fatkeqësie, Partia Demokratike ka zbuluar se mund të bëhet politikë edhe me sëmundjet. Sot, kjo parti, pa asnjë vizion zhvillimi, pa asnjë program alternativash, dhe pa asnjë raport me të vertetat, u tha shqiptarëve se në dy vitet e fundit, kanceri paska marr një hov të madh në Shqipëri! Për ta mbështetur këtë zbulim të madh, ajo iu referua disa shifrave që në fakt provojnë vetëm një gjë: rritjen e kapaciteteve trajtuese të sistemit tonë shëndetësor publik, rritjen e besimit të qytetarëve tek ky shërbim falë politikave tona që kanë mbështetur:
-rrëzimin e barrierave financiare duke bërë ZERO (ishte 10 mijë lekë) tarifën e kontrollit parandalues të kancerit të gjirit;
-rrëzimin e barrierave gjeografike duke investuar 250 mijë USD për dy njësi të lëvizshme mamografie dhe realizuar rreth 7000 ekzaminime FALAS në vit në zonat e largëta dhe rurale të vendit
-fuqizimin e kapaciteteve diagnostikuese duke trefishuar analizat biokimike për markuesit tumoralë;
-fuqizimin e kapaciteteve mjekuese duke vënë në punë dy akseleratorë linearë në shërbimin e onkollogjisë dhe neurokirurgjisë;
-fuqizimin e mundësive kuruese duke shtuar në listën e  barnave të rimbusueshme edhe 29 barna të reja”, lexohet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.
 
“Duke shprehur keqardhjen për përshkallëzimin e pandalshëm të degradimit logjik dhe moral të Partisë Demokratike, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i kujton Lulzim Bashës që ka një proces gjyqësor të hapur mes tyre për shpifje dhe nuk është e hijshme që kryetari i PD-së t’i shmanget këtij gjyqi, siç iu shmang gjyqit famëkeq përr korrupsionin më madhështor të një individi në historinë e demokracisë në Shqipëri”, shton Ministria e Shëndetësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA