“E sigurtë është që do të ketë një qëndrim”. Me këtë përgjigje, Presidenti Nishani ka eliminuar mundësinë që ligji i mbetjeve të kalojë në heshtje, siç ndodhi me atë të “vetting”-ut. Po ashtu, kreu i shtetit ka siguruar dhe diçka tjetër.
“Nuk do të ketë një zvarritje të qëndrimit të Presidentit. Por sapo mendimi përfundimtar, i konsultuar gjerësisht, – pasi unë preferoj që për çështje të tilla madhore të ezauroj një konsultë sa më të gjerë që të jetë e mundur, jo vetëm në aspektin juridik dhe legjislativ, por edhe në atë të interesit publik, – do të ketë një qëndrim përfundimtar opinioni të Presidentit të Republikës”, tha Nishani.
Por duket se Presidenti Nishani, edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, e la të kuptohet fatin e “ligjit të mbetjeve”.
“Është shumë e rëndësishme që çështje të tilla madhore, që lidhen me interesat e qytetarëve, me interesat e publikut, ne gjithmonë t’i fokusojmë ato në rrugën e zgjidhjes së këtij interesi, ku interesi i publikut gjithmonë mbizotëron”, u shpreh Nishani.
Në ditët në vijim, presidenti bëri të ditur se do të presë një përfaqësi të shoqërisë civile, për t’u njohur me shqetësimet e tyre mbi këtë ligj.
Top Channel