
Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore janë prezantuar për publikun 62 objekte ikonografike në ekspozitën e çelur në Muzeun Historik Kombëtar.
Në këtë ditë, ministrja e Kulturës tërhoqi vëmendjen për mbrojtjen e trashëgimisë, veçanërisht kur ajo keqpërdoret.
“Gjykuam me vlerë që në Ditën e Trashëgimisë Kulturore të ndalemi pak e të shohim sesi pjeëe ikonostasesh përdoreshin për ndërtimin e dollapëve mediokre dhe ikonave banale”, deklaroi ministrja.
Ikonat janë pjesë e fondit prej 472 objekteve të tilla, të cilat u cilësuan të vjedhura në vitin 2013, e që tashmë i përkasin Fondit Publik të Trashëgimisë. Sa i takon identifikimit të zonave se ku këto objekte janë vjedhur, ministrja tha se ende nuk dihet vendndodhja e çdonjërës prej tyre, por 15 specialistë kanë punuar për të sjellë një katalog me specifikime.
“Një pjesë e ikonave u dihet vendndodhja, një pjesë tjetër jo. Një pjesë do të qëndrojë në Muzeun Historik, një pjesë tjetër në Muzeun e Korçës, por ajo që dihet me siguri është se tashmë ka një katalog ku paraqitet çdo pjesëz me pasaportën përkatëse”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Publiku do të ketë mundësi të shohë nga afër koleksionin me ikona dhe ornamente deri në datën 8 tetor.
Top Channel