Dy blloqe banimi në lagjen “Ali Demi” janë përfshirë në projektet e rikualifikimit urban, në të cilin Bashkia e Tiranës po investon për krijimin e hapësirave të reja për banorët.
Projekti parashikon rikonstruksionin e të gjitha rrugëve të lagjes, shtimin e gjelbërimit, por edhe krijimin e një këndi lojërash për fëmijë, fushat e volejbollit dhe basketbollit, si edhe hapësira për të moshuarit.
“Mund të ketë 25-30 vjet që nuk është vënë dorë, që kur këto pallate u ndërtuan në kohën e komunizmit. E gjithë zona e Poligrafikut, zona e “Ali Demit”, po pëson disa ndryshime. Sapo kemi mbaruar aksin kryesor nga rruga “Ali Demi” deri në Shkozë, i cili është ndoshta investimi më madhor në këtë komunitet. Më vjen mirë që gjithë shokët e miqtë tanë të vegjël do të kenë edhe këndin e lojrave, fushën e futbollit, të volejbollit, basketbollit, do të ketë hapësira për të moshuarit dhe sigurisht duke qenë se është një lagje jashtëzakonisht e populluar, na duhet pak mirëkuptim mes banorëve për mirëmbajtjen”, tha Veliaj.
Zona në të cilën po zbatohet ky projekt zë një sipërfaqe prej 3.1 hektarësh dhe ndodhet në pjesën lindore të qytetit të Tiranës. Ky objekt përfshin rikualifikimin e dy blloqeve dhe rikonstruksionin e rrugës “Dhimitër Kamarda”.
Top Channel