
Kongresi Botëror i Turizmit Aventurë këtë vit është mbajtur në Alaska të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kufiri i fundëm i Botës nga 19 deri në 22 Shtator ka pritur rreth 850 delegatë nga 65 shtete, të cilët i janë bashkuar komunitetit të aventurës duke promovuar destinacionet më të mira botërore turistike.
Federata Shqiptare e Rafting prezantoi Shqipërinë nëpërmjet projektit inovativ “Albanian Adventure Resort” duke treguar historinë e riciklimit dhe transformimit të një reparti ushtarak të braktisur, simbol i izolimit në një qendër për aktivitete sportive, vend i shpresës për një jetë mirë dhe lirisë për t’u përfshirë në aktivitetet e aventurës duke transformuar një zone të tërë nëpërmjet turizmit.
Në një prononcim nga shteti i Alaskës, Blerina Ago e Albania Rafting tha: “Kongresi Botëror i Turizmit Aventurë ishte shumë frytdhënës dhe në të njëjtën kohë frymëzues pasi u dhanë shumë shembuj nga e gjithë bota mbi zhvillimin e turizmit të aventurës. Në mënyrë të veçantë më bëri përshtypje se ndryshe nga vendet e tjera të zhvilluara, në vendin tonë ka një mungesë të theksuar të ndërgjegjes kolektive për mirëmbajtjen e pasurive natyrore. Ndryshimi është po aq i dukshëm dhe në cilësinë e shërbimit të bizneseve pritëse, restoranteve, etj të cilëve iu mungon një vizion për të ardhmen dhe përqendrohen te modeli i fitimit afat-shkurtër kryesisht gjatë sezonit të verës”.
Top Channel