
Rreth dy javë pas sulmit barbar ndaj biznesmenit amerikano-libanez Fadi Mitri ka reaguar edhe Shoqata e Investitorëve të Huaj të Shqipërisë.
Përmes një deklarate zytrtare, FIAA ka dënuar ashpër sulmin e dhunshëm ndaj presidentit të “Omnix Albania”, kompanisë që do ndërtonte resortin turistik në Lalëz.
“Kjo ngjarje ndodh në një moment kur FIAA, partnerët ndërkombëtarë dhe qeveria e Shqipërisë, janë duke punuar intensivisht së bashku për të përmirësuar klimën e biznesit në vend”, thuhet në deklaratë.
Investitorët e huaj e cilësojnë sulmin si një veprim të ndërmarrë nga individë që operojne jashtë kufijve ligjore, të cilët sipas tyre, në këtë formë vënë në rrezik reputacionin e të gjithë komunitetit.
“FIAA supozon se ky është një “rast i izoluar”. Duke vlerësuar reagimin në kohë të forcave ligjzbatuese, ajo i bën thirrje institucioneve të marrin masat më të forta të mundshme ndaj këtyre “armiqve të përbashkët””, vijon deklarata.
Investitorët e huaj shprehen të gatshëm për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet dhe aktorët e shëndetëshëm të shoqërisë civile për të shmangur që ngjarje të tilla fatkeqe të mos ndodhin përsëri në të ardhmen.
Rreth dy javë më parë, një grup personash dhunuan fizikisht dhe kërcënuan me jetë presidentitn e kompanisë “Omnix Albania”, Fadi Mitri, një veprim ky që çoi në tërheqjen e menjëhershme të kësaj kompanie nga projekti turistik prej 450 milionë eurosh në Gjirin e Lalëzit dhe largimin e saj nga Shqipëria.
Top Channel