
Gentjan Bejtaj, një emër i përmendur në vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, e më pas për lidhjet e tij me Enver Stafukën dhe Durim Bamin, ishte shënjestra e një atentati me eksploziv mëngjesin e sotëm.
35-vjeçari po udhëtonte me mjetin e tij tip “Tuareg”, me targë “AA 020 BH” në fshatin Nikel të Krujës, kur nga poshtë mjetit shpërtheu eksplozivi që e dëmtoi rëndë në këmbë.
Policia e dërgoi të lënduarin në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Atentati ndaj tij është shumë i ngjashëm me atë që iu bë Durim Bamit.
Në shkurt të vitit 2013, Gentjan Bejtaj u arrestua së bashku me Enver Stafukën si të dyshuar për vjedhjen e automjetit tip “BMW”, që u përdor në vrasjen e ish-kryekomisarit Dritan Lamaj.
Por më pas hetimet nuk i lidhn Bejtjën dhe Stafukën me autorët e vrasjes së oficerit, pasi nuk u gjetën prova që mjetin ta kishin vjedhur ata posaçërisht për atë ngjarje.
Emri i Gentian Bejtaj është përmendur edhe në hetimet për zhdukjen e Enver Stafukës. I marrë në pyetje në atë kohë, ai tha se kishte qenë gjithë kohës në shoqërinë e Durim Bamit.
Policia njoftoi se Bejtaj ështe person me precedentë penalë për krime kundër personit dhe ndaj pronës dhe pritet që hetimet për atentatin e sotëm me një sasi të vogël eksplozivi të shtrihen edhe në të kaluarën e tij problematike.
Top Channel