Çuçi dhe Vlahutin diskutojnë mbi reformën territoriale dhe administrative

16/09/2016 13:20

Ministri i Shtetit  për Çështjet Vendore, Bledar Çuçi dhe Shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin diskutuan mbi fazën e zbatimit të Reformës Territoriale dhe Administrative dhe Strategjisë së Decentralizimit.

Ambasadorja Vlahutin vlerësoi përpjekjet e autoriteteve shqiptare dhe i nxiti ata ta përshpejtojnë ritmin e reformave në këtë fushë me rëndësi. “Bashkimi Evropian i kushton rëndësi të madhe qeverisjes vendore dhe mbështet plotësisht rolin që luajnë njësitë e qeverisjes vendore në procesin e integrimit të vendit në BE”, tha Ambasadorja e BE-së.
 
Në veçanti, Ambasadorja Vlahutin e nxiti qeverinë që të miratojë sa më shpejt, në këshillim të ngushtë me gjithë palët e interesuara përkatëse, një ligj përmes të cilit financat vendore të jenë të parashikueshme dhe fondet të ndahen në mënyrë transparente dhe të paanshme. Përmirësimi i menaxhimit të financave publike në nivel vendor mbetet gjithashtu një përparësi në kuadrin e  strategjisë për Menaxhimin e Financave Publike.
 
Ajo përsëriti vendosmërinë e plotë të BE-së për të punuar së bashku me autoritetet shqiptare për shtimin e kapaciteteve qeverisëse lidhur me BE-në në nivel vendor. Nisma që bashkitë të kenë zyrat e tyre vendore të BE-së do të jetë një mjet i dobishëm për integrimin evropian të vendit. Delegacioni i BE-së planifikon të asistojë duke ofruar trajnime / ndarje njohurish, si dhe komunikim në rrjet dhe platforma ndërlidhëse, materiale informuese dhe menaxhim veprimtarish.
 
Për më tepër, BE ka premtuar një kontribut të madh për projektin “Mbështetje për Reformën Territoriale dhe Administrative” (STAR) që do të nisë së shpejti fazën e tij të dytë. Aktivitetet, të vëna në zbatim nga PNUD, synojnë të forcojnë kapacitetet administrative dhe institucionale të njësive të qeverisjes vendore, të rrisin ofrimin e shërbimeve vendore, si dhe të forcojnë demokracinë vendore përmes nxitjes së qeverisjes me orientim nga qytetarët dhe pjesëmarrjes në vendim-marrje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA