Turqi, pezullohen mbi 11 mësues në prag të vitit të ri shkollor për lidhje me PKK

08/09/2016 00:00

Më shumë se 11 mijë mësues në të gjithë Turqinë janë pezulluar për shkak të dyshimeve për lidhje me Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), vetëm një javë përpara se të nisë viti i ri shkollor.

Kryeministri Binali Yildirim tha se, sipas gjasave, janë plot 14 mijë mësues të lidhur me aktivitetet terroriste. Turqia, sikurse edhe vendet e Perëndimit, e cilësojnë “PKK”-në një organizatë terroriste.

Megjithatë, ky spastrim është i fundit në radhë, pas atij të shkarkimit apo pezullimit të dhjetëra mijëra mësuesve të shkollave shtetërore apo private, të cilët akuzoheshin për lidhje me grushtin e dështuar të shtetit në korrik.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë gjetur vdekjen nga kryengritja dhjetëvjeçare e kurdëve kundër pushtetit turk, të cilët kërkojnë një autonomi më të gjerë për popullin kurd.

Ministri turk i Edukimit njoftoi se 11.285 mësues u pezulluan dhe janë përfshirë në listën gati për shkarkim, derisa të përfundojnë hetimet, megjithatë për këtë periudhë ata do të paguhen.

Agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu” bëri të ditur se ata dyshohen për aktivitete “në mbështetje të organizatës terroriste separatiste dhe degët e tjera të saj”. Gjithashtu është thënë se numri i tyre pritet të shkojë deri në 14 mijë, pas hetimit të ndërmarrë nga qeveria qëndrore në bashkëpunim me zyrat e guvernatorëve lokalë.

Ende nuk bëhet e qartë se nga cila pjesë e vendit janë mësuesit e pezulluar, por popullsia kurde në Turqi është e përqëndruar kryesisht në juglindje të vendit, pranë kufirit me Sirinë, Irakun dhe Iranin.

Në sistemin arsimor turk numërohen rreth 850 mijë mësues, gjë që nënkupton se pezullimet e fundit prekin më pak se 2 për qind të totalit të tyre. Por, më herët gjatë këtij viti, 15.200 zyrtarë të Ministrisë së Edukimit humbën punën dhe 21 mijë mësues të shkollave private panë t’iu revokohej licenca, pas spastrimit të nisur ndaj ndjekësve apo mbështetësve të klerikut Fethullah Gulen, të cilin presidenti Erdogan e akuzon për grushtin e dështuar të shtetit më 15 korrik.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta