Shkup, 6 viktima nga rrëzimi i avionit. Dy kosovarë e 4 italianë

06/09/2016 00:00

Një avion i vogël privat, i nisur nga Aeroporti “Canova” i Trevizos në Itali, me 6 persona në bord, është rrëzuar pasditen e së martës në Maqedoni, në zonën e Velesit pranë Shkupit. Nga tragjedia kanë humbur jetën të gjithë udhëtuesit, prej të cilëve 4 ishin italianë, ndërsa dy nga Kosova.

Pjesë të avionit “Piper Senka 2” u gjetën dy kilometra larg fshatit Kozhle, në zonën e Velesit në Maqedoni. Avioni i nisur nga Trevizo në Itali u rrëzua mbrëmjen e së martës dhe në bord kishte 6 persona, dy shtetas kosovarë që identifikohen si vëllezërit Begaj dhe 4 italianë.

Ata udhëtonin drejt Prishtinës, ndërsa në Shkup, në Aeroportin “Aleksandri i Madh” do të ndaleshin për furnizim me karburant. Vendi ku u rrëzua avioni është rreth 20 km larg kryeqytetit të Maqedonisë.

Të 6 personat do të merrnin pjesë në përvjetorin e themelimit të Qendrës Aeronautike të Kosovës në Istog, gjatë së mërkurës. Autoritetet konfirmuan emrat e viktimave, Visar Bega dhe vëllai i tij, të dy nga Malisheva, por që zhvillonin aktivitetin e tyre si biznesmenë në Itali.

Ndërkohë, italianët që humbën jetën janë piloti Francesco Montagnieri, Dario Bastasi, Luka Dalla Mile dhe viktima e katërt një femër.

Mediet e Kosovës dhe Maqedonisë njoftojnë se avioni mund të jetë rrëzuar për shkak të motit të keq. Kjo, por edhe terreni i vështirë dhe nata vështirësuan operacionin e kërkimit. Fillimisht ishin banorët e Velesit, ata që njoftuan për një shpërthim të fuqishëm dhe pas lajmit për zhdukjen e avionit u verifikua vendndodhja e rrëzimit.

Autoritetet maqedonase kanë qenë të rezervuara në dhënien e lajmit, ndërsa e kanë konfirmuar aksidentin ajror vetëm pas gjetjes së pjesëve të para të “Piper Senka 2”. Avioni i regjistruar në Gjermani ishte marrë me qira për këtë udhëtim dhe çdo orë fluturimi kushtonte 500 euro.

Gjatë së martës, nga Trevizo e Italisë në drejtim të Shkupit ishin nisur 3 avionë të vegjël. Dy mbërritën, ndërsa i treti humbi nga radarët.

Vetëm pak javë më parë, më 14 korrik, një tjetër avion “Piper” i nisur nga Venecia u rrëzua në Slloveni, duke shkaktuar vdekjen e 4 personave.

FOTO GALERI
1/1
Ftese e derguar nga Visar Begaj per inaugurimin e qendres aeronautike ne Istog

Top Channel