
Rruga që të çon tek shtëpia e Geg Gjoklajt është mbushur me njerëz të njohur e të panjohur të tij, të cilët duan ta ngushëllojnë për humbjen e të birit, Arditit.
17-vjeçari, i cili kishte mbyllur vitin e dytë në shkollën Karl Gega në Kombinat, gjatë Verës ndihmonte prindërit me të ardhura modeste, pasi kishte vendosur që me rrogën që do të fitonte në Landfillin e Sharrës të blinte librat e tij dhe të motrës, si edhe rrobat për në shkollë. Vëllai i tij, Ardiani 19 vjeç , pati punuar si Arditi në seleksionimin e mbetjeve.
“Për të ndihmuar familjen. Me mori në telefon a do të vish ikim tek puna. I thashë jam në fshat se është gjyshja sëmurë dhe i thashë ik vetë. Ika, më tha”, rrëfen Ardiani, vëllai i Arditit.
Nata ku ai humbi jetën duke u goditur nga një eskavator, sipas shokut të tij, ishte e fundit.
“Do të iki edhe sonte në punë, më tha, nesër marr rrogën dhe nuk do të shkoj më. Ishte e lodhshme dhe ishte mërzitur”, rrëfen Serxhio Xhameta, shoku i Arditit.
“Aksidentin e kanë bërë akoma më të rëndë sepse kanë dashur të humbin gjurmët duke e mbuluar me mbeturina”, thotë xhaxhai i Arditit, Lush Gjoklaj.
Për një jetë më të mirë, Geg Gjoklaj u zhvendos nga Lekbibaj para 20 vitesh, në një lagje të Kombinatit pranë rrënojave të ndërtesave të dikurshme. Por megjithë vitet jo të pakta si efektiv policie, ai nuk ja doli dot mbanë t’i rriste i vetëm 3 fëmijët e për këtë Arditi i doli në krah.
“Ka nisur në polici, ka 17-18 vjet. Punon, ha bukë”, rrëfen Vuksani, xhaxhai tjetër i Arditit.
Duke parë zhgënjimet e të atit, Arditi e kishte përjashtuar mundësinë që një ditë të bëhej polic. Ai ëndërronte të bëhej hidraulik e për këtë ndiqte edhe një shkollë profesionale në Kombinat, por jeta dhe ëndërrat e tij u ndërprenë në mes.
Top Channel