Presidenca reagoi pas deklaratës së Partisë Socialiste mbi pavlefshmërinë e dekretit të Presidentit të Republikës në lidhje me datën e mbajtjes së zgjedhjeve në Dibër.
“Zgjedhjet në Dibër do të mbahen në 11 shtator. Kjo datë korrespondon me afatet ligjore. Presidenti i Republikës e dekretoi brenda 48 orëve pas njoftimit nga Gjykata Kushtetuese datën e zgjedhjeve”, u shpreh drejtori i Kabinetit të Presidencës, Olsi Lafe.
“Presidenti uron dhe kërkon zhvillimin e një procesi të lirë dhe të ndershëm”, shtoi zëdhënësi.
Partia Socialiste pati deklaruar se dekreti i Presidentit Nishani, që një ditë më parë caktonte datën 11 shtator për mbajtjen e zgjedhjeve në Peshkopi, është i pavlerë për sa kohë nuk është zbardhur vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Deputetja Blerina Gjylameti tha se, ky është një vendim personal i kreut të shtetit dhe i kërkoi që ta tërheqë atë, pasi sipas socialistëve është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
Top Channel