
Ka qenë një vizitë e ngjeshur, ajo e kryeministres së re britanike Theresa May në Berlin. Në fillim pritja me nderime ushtarake, pas kësaj takimi kokë më kokë me Kancelaren Angela Merkel, e para darkës zyrtare, një konferencë e përbashkët shtypi.
Vëmendjes së gazetarëve nuk i shpëtuan as këpucët e Mayt, të njohur për stilin e saj ekstravagant. Këtë herë, ajo kishte veshur këpucë leopardi, ato që mbante edhe gjatë vizitës së parë te Mbretëresha Elisabeth, gjë që sipas mediave gjermane shtoi spekulimet se ky ishte një nderim për monarken e pakurorëzuar të Europës, Merkel.
Tensionet nuk ishin fare të padukshme mes dy udhëheqësve. May theksoi se Britania e Madhe, edhe pas “Brexit” do të jetë pjesë e Europës, ndërsa Merkel, edhe pse nuk u shfaq shumë e prerë, kujtoi sërish se procesi i nisur duhet çuar deri në fund.
“Mendoj se është në interesin e të gjithëve që Britania e Madhe të ketë një pozicion negociues të mirëpërcaktuar dhe të tregojë sesi i sheh marrëdhëniet e saj të ardhshme me Bashkimin Europian”, tha Angela Merkel.
“Dua ta bëj të qartë këtu, sot, siç do ta bëj në mbarë Europën gjatë javëve në vijim, se nuk do të largohemi nga miqtë tanë europianë. Britania do të mbetet një vend që sheh nga jashtë dhe Gjermania do të jetë përherë një partner jetik dhe mik i veçantë për ne”, tha Theresa May, kryeministre e Britanisë.
Pas Merkelit, Theresa May do të takohet me Presidentin francez Francois Hollande, i cili pritet t’i thotë shefes së re të ekzekutivit britanik se dëshiron, që bisedimet e shkëputjes së Mbretërisë së Bashkuar nga blloku europian të nisin sa më parë të jetë e mundur.
Top Channel