Udhëtimi i parë jashtë vendit për kryeministren e re britanike do të jetë në Gjermani, paskëtaj do të vizitojë Francën.
Kancelarja gjermane do të presë homologen britanike të mërkurën për të diskutuar mbi vendimin e shkëputjes nga BE dhe pasojat e tij, siç bëri të ditur një zëdhënës i qeverisë gjermane të hënën.
Burime të qeverisë britanike thanë se kjo do të jetë një mundësi për të diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin, për një sërë sfidash globale dhe natyrisht mbi mënyrën se si Britania e Madhe dhe Gjermania mund të punojnë bashkë teksa Londra përgatitjet për shkëputjen nge Unioni.
Nga ana e tij zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert tha se në axhendë do të jenë zhvillimet politike në Turqi, çështja e refugjateve si dhe “Brexit”. Më pas pasuesja e David Cameron do të zhvendoset në Francë, ku pritet të zhvillojë bisedime me presidentit Francois Hollande.
May ka qenë për 6 vjet ministre e Brendshme para se të kandidonte për lidershipin e Partisë Konservatore pas dorëheqjes së Cameron.
Ndërkohë ithtari i “Brexit” dhe ish-kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson gjatë takimit me kolegët europianë dhe amerikanë, të hënën në Bruksel, shprehu qartë vendosmërinë e Britanisë së madhe për të pasur një rol kyç në Europë.
“Duhet të përmbushim vullnetin e popullit e të shkëputemi nga BE, por ne nuk do të braktisim në asnjë mënyrë rolin tonë në pjesëmarrjen europiane”, ishin fjalët e tij.
Liderët e Bashkimit Europian këmbëngulin që negociatat për shkëputjen e Britanisë nga blloku të nisin vetëm pasi Londra të kërkojë zbatimin e nenit 50 të traktatit të Lisbonës, çka do t’i hapte rrugën daljes nga unioni pas dy vjetësh.
Top Channel