Ankaraja hedh poshtë bashkëpunimin trepalësh të mbrojtjes, akuzon Greqinë për shkelje të hapësirës ajrore mbi Egje Dy arrestime të reja janë kryer në kuadër të hetimeve mbi ngjarjen tragjike në Nice të Francës. Një prej tyre është ish-e shoqja e Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, dhe tjetri një person i përshkruar si “i njohur i afërt i tij”.
Prangosjet e fundit e çojnë në 7, numrin total të të ndaluarve për lidhje me franko-tunizianin 31-vjeçar, që përplasi mbrëmjen e 14 korrikut kamionin e marrë me qira mbi turmën e të pafajshmëve të mbledhur në shëtitoren e qetë “Promenade des Anglais” për të shijuar spektaklin tradicional të fishekzjarreve.
Francois Hollande e etiketoi shpejt episodin si sulm terrorist dhe hetuesit tani po përpiqen të zbulojnë nëse tuniziani kishte lidhje me grupe ekstremiste. Për nga mënyra e organizimit, atentati i Nices duket sikur origjinën e ka drejtpërdrejt në manualin e Shtetit Islamik:
“Bëhuni ujqër të vetmuar dhe kryeni atentate në vendet tuaja”, ishte këshilla e dhënë ithtarëve të organizatës së dhunshme ekstremiste në Europë. “Për këtë mund të përdorësh si armë edhe automjete, apo objekte të tjera të jetës së përditshme”, vijonte orientimi nga krerët e grupit.
Mbase ajo që shihet sot në Nice është pikërisht efikasiteti vdekjeprurës i kësaj metode. Sulmi i tri ditëve më parë e shton edhe më shumë presionin mbi shërbimet franceze të inteligjencës, forcat e sigurisë, por edhe vet qeverinë e vendit.
Analistë si Barbara Wessel mendojnë se, për Presidentin Hollande, atentati i qytetit jugor do të thotë fund politik. Ai reagoi vërtet me ashpërsi pas sulmeve të nëntorit, me forcim ligjesh e vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Por nga ana tjetër nuk arriti të reformonte shërbimet e rrëmujshme të sigurisë, e të krijonte një autoritet të vetëm dhe të fuqishëm antiterror.
Në lidhje me atentatet e Parisit doli në pah se, megjithë paralajmërimet se ishin bërë gabime, të dhënat nuk u shfrytëzuan dhe personat e dyshimtë nuk u arrestuan në kohën e duhur. Në Nice mbrëmjen e terrorit, mes njerëzve të tjerë të ngërthyer aty në momentet e tragjedisë ishte edhe i famshmi Bono i “U2”-ve, i cili sipas raporteve në mediet e huaja, u desh të shpëtohej prej forcave speciale franceze nga restoranti ku po darkonte.
Top Channel